SI SOT/ Gjaku 234 milionësh, Bode e Traumës dhe FLORIFARMA ende pa hetim

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.09.2025, 08:00

Më 26 shtator 2022, Edlira Bode e Traumës dhuroi një nga skandalet më tipike të prokurimeve publike, një tender prej 234 milionë lekësh për gjak e organet formuese të tij, që u fitua pa konkurrencë nga kompania FLORIFARMA e vëllezërve Marku. Sot, më 26 shtator 2025, kujtesa mbetet e freskët për JOQ, por drejtësia vazhdon të sillet sikur tenderi ka qenë thjesht një kurs patente e harruar.

Ironia qëndron në faktin se FLORIFARMA, përveçse furnizonte gjak, kishte në aktivitetet e saj edhe kurse patente apo kurse kompjuteri. Pra, një kompani që një ditë merrej me transfuzion, një ditë tjetër të mësonte timonin. Në 2022 kjo dukje absurde u quajt “normalitet” dhe tenderi u mbyll nën shënimin e thjeshtë “mungesë konkurrence”, që do të thotë, fitore pa mundim.

FLORIFARMA u bë e njohur për publikun rnë 2021 kur administratori i kësaj kompanie Florian Marku u la në arrest shtëpie pasi në njërën prej farmacive të tij u konstatua se shiteshin në treg me çmim shumë herë më të lartë ilaçe kontrabandë për të trajtuar Covid-19. Gjithashtu Marku është pjesë e grupit të mjekëve te Onkologjiku që në 2024 përmes mashtrimit u zhvasnin para pacientëve me kancer.

Tre vite më vonë, ai që quhej “flamur i kuq” në dokumentet e APP-së, nuk u kthye kurrë në një sinjal alarmi për institucionet e drejtësisë. As hetim serioz, as penalitete, as përgjegjësi. Vëllezërve Marku nuk u hyri gjemb në këmbë, teksa Edlira Bode vijon të qëndrojë në krye të spitalit të Traumës, ndonëse akuzohet për afera me tendera, ilaçe të skaduar, keqadministrim të spitalit.

Në 2025 ne s’mund të presim asgjë tjetër përveçse që dosja të mbetet nën pluhur, ndërsa qytetarëve t’u shpjegohet se drejtësia si duket është bërë palë me ata që grabisin taksat e shqiptarëve për t’i shpërdoruar me tenderë që kanë flamur të kuq. E vetmja e vërtetë është se ritmi i institucioneve të drejtësisë ka qenë gjithmonë më i ngadalshëm se qarkullimi i parave të tenderave.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit