Për të përfituar një tender të majmë në Shëndetësi duket se për drejtorët e Rilindjes është kriter që të kesh patentë e jo vetëm kaq... Të ofrosh kurse patente apo kurse për PC. Është kjo çudia që ka ndodhur me një tender të fundit të dhënë në Shëndetësi nga Drejtoresha e Traumës Edlira Bode.
Objekti i tenderit konsiston në ofrimin e gjakut dhe organet formuese të gjakut, me Fond Limit 234 MLN LEKË pa TVSH. Fitues i këtij tenderi është shpallur kompania FLORIFARMA SHPK e vëllezërve Frangë dhe Lazer Marku me vlerë 227 MLN LEKË pa TVSH. Tenderi është shënuar me Flamur të Kuq për Mungesë Konkurrence, ose e thënë ndryshe vëllezërve Marku i është futur në xhep shuma e tenderit pa shumë mundim.

Ata me kompaninë e tyre kanë garuar të vetëm në garë dhe tendera të cilësuar të tillë, përbëjnë rrezik potencial për praktika korruptive të zbatuara në tender.
Ironia në këtë procedurë prokurimi publik, përpos faktit se kompania në garë ka garuar e vetme është se përpos faktit që merr tendera Shëndetësie, në veprimtarinë e saj ka të përfshirë edhe një sërë aktivitetesh të tjera që nuk lidhen me këtë fushë apo të jenë të ngjashme me të.
Kështu FLORIFARMA përpos se fut në xhep paratë e taksapaguesve shqiptarë ofron edhe kurse patente apo kurse kompjuteri.

Kjo kompani u bë e njohur për publikun rreth një vit më parë kur administratori i kësaj kompanie Florian Marku u la në arrest shtëpie pasi në njërën prej farmacive të tij u konstatua se shiteshin në treg me çmim shumë herë më të lartë sesa bliheshin ilaçe kontrabandë për të trajtuar Covid-19. Ky biznes lulëzoi për Markun gjatë kohës së pandemisë. Ndër ilaçet e përmendura bënin pjesë: Inhixa, Clexane, Favira, Alphagan, Cyrotex, Aricept, Medro, Co aprovel” që përdoreshin për trajtimin e Covid.