Pak muaj më parë, një qytetar denoncoi në redaksinë tonë një skandal ushqimor lidhur me produktet e kompanisë "HAKO" pasi brenda një sallami popullor gjeti sytha patatesh.
Menjëherë pas këtij denoncimi dhe reagimit zyrtar nga AKU për përbërjen skandaloze të këtyre produkteve, kompania në pronësi të Adnand dhe Antonela Hako reaguan duke përgënjeshtruar denoncimin dhe hedhur akuza për prishje imazhi dhe dezinformim.
"HAKO sh.p.k. dëshiron të sqarojë konsumatorët dhe partnerët se lajmet e fundit dhe të shpeshta të publikuara në disa portale online janë tërësisht të pavërteta, lajme të pabaza dhe absurde të cilat synojnë qartazi të hutojnë dhe dezinformojnë konsumatorët në dëm të reputacionit tonë duke përdorur dhe emra institucionesh shtetërore".
Por nëse Antonela mendoi se me këtë reagim do u mbyllte gojën shqiptarëve dhe do i bindte të konsumonin sërish produktet e saj me erëza kimike të forta dhe aditivë artificialë (e provuar nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe vetë hetimet e AKU-së) e ka gabim pasi denoncimet për përbërjet e çuditshme dhe skandaloze të këtyre produkteve sa vijnë e shtohen.
Së fundmi, një qytetare ka mbetur e shtangur nga prania e një qimeje gjigante të zezë në një sallam të blerë pak ditë më parë në Dhërmi.
Ajo ka treguar se sapo ka prerë sallamin 'Sakson Klasik' brenda ka gjetur qimen e zezë që s'dihet nga ka ardhur dhe si ka përfunduar brenda një produkti që supozohet të jetë i gatshëm për konsum dhe ka kaluar të gjitha kontrollet e nevojshme nga prodhuesi, në këtë rast HAKO.
Rastet e tilla që sa vijnë e shtohen dhe me një histori të gjatë mashtrimesh ushqimore, kjo fabrikë është kthyer në sinonim të rrezikut për shëndetin e konsumatorëve shqiptarë.
Që prej vitit 2015, një lumë denoncimesh dhe rastesh janë dokumentuar ku produktet e skaduara të kompanisë janë rifutur sërish në treg me raporte false. Vetëm në prill 2021, rreth 2000 kilogramë sallam i mykur e me erë të rëndë u konstatuan të rikthyer në qarkullim. Raportet laboratorike kanë zbuluar se në vend të mishit të freskët të viçit, që reklamohet me pompozitet, produktet e “Hako”-s kanë pasur vetëm 15% mish të importuar nga frigoriferë me 15–20 vite qëndrim. Pjesa tjetër është përbërë nga mbetje shtazore kocka, zorrë, plendësa, lëkurë kafshësh si dhe miell soje kineze për ushqim kafshësh. Gjithashtu, janë konstatuar deri edhe patate të prishura të bluara e futur në sallam.
Megjithëse kompania ka deklaruar vazhdimisht se furnizohet me mish nga tregu europian i certifikuar, hetimet kanë nxjerrë në pah një skemë mashtrimi të ngritur mbi raporte të falsifikuara dhe mbi ryshfete ndaj inspektorëve të AKU dhe ISHP.
E ndërsa denoncimet s'kanë të ndalur dhe AKU s'bën punën që i takon, ne mbetemi në pritje të reagimit dhe përgënjeshtrimit të radhës nga Antonela Hako, pasi gjithmonë e gjen një justifikim.