JOQ denoncoi praninë e sythave në sallamin ‘HAKO’, AKU konfirmon përbërjen skandaloze të produkteve

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 13.09.2025, 11:24

Pas më shumë se një dekade skandalesh të përsëritura, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërhyrë mbi kompaninë “Hako”, në pronësi të Adnand dhe Antonela Hako. Me një histori të gjatë mashtrimesh ushqimore, kjo fabrikë është kthyer në sinonim të rrezikut për shëndetin e konsumatorëve shqiptarë. Denoncimet publike, raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe vetë hetimet e AKU-së kanë treguar përmasa tronditëse të abuzimit, ndërsa reagimi institucional ka ardhur gjithmonë i vonuar, shpesh pas presionit mediatik dhe denoncimeve qytetare.

Që prej vitit 2015, një lumë denoncimesh dhe rastesh janë dokumentuar ku produktet e skaduara të kompanisë janë rifutur sërish në treg me raporte false. Vetëm në prill 2021, rreth 2000 kilogramë sallam i mykur e me erë të rëndë u konstatuan të rikthyer në qarkullim. Raportet laboratorike kanë zbuluar se në vend të mishit të freskët të viçit, që reklamohet me pompozitet, produktet e “Hako”-s kanë pasur vetëm 15% mish të importuar nga frigoriferë me 15–20 vite qëndrim. Pjesa tjetër është përbërë nga mbetje shtazore kocka, zorrë, plendësa, lëkurë kafshësh si dhe miell soje kineze për ushqim kafshësh. Gjithashtu, janë konstatuar deri edhe patate të prishura të bluara e futur në sallam.

Skandali mori një tjetër përmasë më 10 qershor 2025, kur qytetarë denoncuan publikisht në JOQ Albania se brenda një sallami popullor u gjetën sytha patatesh. Ky rast e riktheu edhe një herë në qendër të vëmendjes mënyrën e prodhimit të kësaj kompanie, ku për të maskuar erën e keqe dhe ngjyrën e produkteve përdoren erëza kimike të forta dhe aditivë artificialë dhe pikërisht ajo që JOQ Albania denoncoi, patatet që nuk kanë lidhje me produktin përdoreshin për të kamufluar aromën e keqe të produkteve. Nga 70 lloje produktesh të kompanisë, 52 janë konstatuar të manipuluara dhe të dëmshme për shëndetin mes tyre edhe më të konsumuarat: sallam popullor, Sakson, kremviçe Mozarela, proshutë Pizza, kërnacka pule, salçiçe, proshutë viçi, krudo të tymosura.

Megjithëse kompania ka deklaruar vazhdimisht se furnizohet me mish nga tregu europian i certifikuar, hetimet kanë nxjerrë në pah një skemë mashtrimi të ngritur mbi raporte të falsifikuara dhe mbi ryshfete ndaj inspektorëve të AKU dhe ISHP. Shqiptarëve u është shitur helm në emër të sallamit, ndërkohë që shteti, në vend që të mbyllte fabrikën, shpesh ka zgjedhur të mbyllë sytë.

Reagimi i AKU-së, sado i vonuar, konfirmon të vërtetën e hidhur që qytetarët përmes JOQ Albania kanë denoncuar prej vitesh. Pyetja që mbetet pezull është nëse ky do të jetë një reagim për sy e faqe apo, më në fund, hapi i parë drejt mbylljes përfundimtare të një biznesi që ka vënë fitimin mbi shëndetin e njerëzve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit