Grekët fajësuan shqiptarin: Gjurmët në grabitjen e dhunshme të ukrainases s’i përkasin atij

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 22.09.2025, 17:48

Një kthesë e papritur ka ndodhur në hetimin për grabitjen e dhunshme ndaj një 25-vjeçareje ukrainase në Kassandra të Halkidikisë, ngjarje e ndodhur të premten e kaluar.

Fillimisht, autoritetet greke dyshuan se pas sulmit qëndronte një shqiptar 27-vjeçar, i arratisur vetëm një ditë më parë nga burgu i Kasandrës, por analizat e gjurmëve të gishtërinjve kanë përjashtuar përfshirjen e tij.

Kjo ka detyruar policinë të nisë hetimet nga e para, pasi identiteti i autorit të grabitjes dhe tentativës për vrasje mbetet ende i panjohur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17:00 të pasdites së 20 shtatorit, në një apartament me qira në zonën e Kypsës, Kassandra. Autori i paidentifikuar hyri me forcë në banesë, sulmoi vajzën me thikë dhe i mori telefonin celular dhe shumën prej 2,000 eurosh, përpara se të largohej me shpejtësi.

Viktima, me origjinë nga Ukraina, u transportua me urgjencë në spital nga ambulanca e EKAB dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në fillim të hetimeve, autoritetet dyshuan për Ylli Shkallën, shtetas shqiptar i dënuar për transport të paligjshëm emigrantësh, i cili ishte arratisur nga burgu një ditë përpara ngjarjes. Viktima madje e kishte identifikuar atë përmes një fotografie të treguar nga policia. Por analizat kriminalistike treguan se gjurmët e gjetura në vendngjarje nuk përputhen me ato të tij.

Aktualisht, Ylli Shkalla vazhdon të jetë në arrati për çështje të tjera, ndërsa policia greke ka intensifikuar hetimet për të zbuluar autorin e grabitjes së dhunshme që tronditi zonën e qetë turistike të Halkidikisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit