E njëjta vajzë nga Japonia endet sërish e vetme, këtë herë në Kukës: Asnjë institucion s’ka ndërhyrë!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.09.2025, 22:43

Një rast i përsëritur dhe tepër shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania. Bëhet fjalë për të njëjtën vajzë, e cila disa muaj më parë u raportua duke endur e vetme rrugëve të Tiranës, ndërsa tashmë është gjetur sërish në rrugët e Kukësit.

Disa të rinj nga qyteti i Kukësit tregojnë se e kanë takuar vajzën, e cila u prezantohet si 21-vjeçare nga Japonia, me prindër të ndjerë nga një aksident i rëndë. Ata e kanë gjetur duke qëndruar e vetme, e uritur dhe e frikësuar, madje edhe e grabitur nga persona të tjerë ditë më parë. Për këtë arsye, të rinjtë kanë vendosur ta ndihmojnë duke i dhënë ushqim dhe duke e strehuar përkohësisht në një hotel, pasi ajo kishte frikë të flinte jashtë.

Në mesazhin e tyre, ata shkruajnë:

“Nuk e përkrahin as policët. Ndodhet në Kukës. Ne e kemi ndihmuar, e kemi çuar në një hotel sepse kishte shumë frikë të flinte jashtë.”

Ky është i njëjti rast që redaksia jonë ka raportuar disa muaj më parë, kur një qytetare nga Tirana e pa duke endur rrugëve të Kombinatit. Asokohe, ajo shpjegonte se vajza kishte ardhur nga Japonia, duke lënë vendin e saj pasi atje i kërcënohej jeta. Sipas asaj që u raportua, ajo ishte nisur drejt Gjermanisë, por për arsye të paqarta kishte përfunduar në Shqipëri.

Ajo që e bën edhe më shqetësues këtë rast është fakti që, megjithëse është raportuar prej muajsh, duket se asnjë institucion nuk ka ndërhyrë për t’i ardhur në ndihmë vajzës, për të verifikuar identitetin e saj dhe për të kuptuar situatën e vërtetë shëndetësore dhe sociale në të cilën ndodhet.

Në këtë pikë, mbetet e paqartë nëse ajo vuan nga probleme të shëndetit mendor apo është viktimë e një rasti të rëndë social, por është e domosdoshme që rastit t’i jepet një zgjidhje institucionale. Të lësh një vajzë të endet e vetme rrugëve, pa strehë e pa mbështetje, është një alarm që nuk duhet të neglizhohet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit