Një qytetare nga Tirana i është drejtuar redaksisë sonë për të bërë një apel për një vajzë që ka humbur dhe ndodhet në zonën e Kombinatit.
Qytetarja tregon se vajza 28-vjeçare ka ardhur nga Japonia dhe prej tre ditësh po endet në lagjet e Tiranës e vetme dhe e frikësuar. Sipas saj, vajza është larguar nga vendi i saj, Japonia, për shkak se atje i kërcënohej jeta.
E reja ishte nisur drejt Gjermanisë, por është e paqartë se si ka përfunduar në Tiranë. Vajza që denoncon rastin u bën apel institucioneve që të reagojnë për këtë ngjarje.
Një thirrje sensibilizuese ajo e ka dhe për qytetarët e thjeshtë të cilët mund ta takojnë në rrugë, që ta pyesin për çfarë ka nevojë dhe ta ndihmojnë me sa mundësi të kenë.
“Video është bërë dje në Kombinat. Vajza gjendet në Kombinat, në rrugët e zonës. Nuk ka telefon fare. Është në gjendje shumë të keqe, e frikësuar, sepse ka ardhur nga Japonia. Ajo ka ikur prej andej e përndjekur pasi kërcënohej për jetën e saj dhe ka nevojë për ndihmë sa më shpejt.
Çfarëdolloj ndihme që mund t’i japë dikush, ushqim apo diçka. Ajo thjeshtë është duke u sjellë rrotull me një çantë në krah dhe po fle nëpër cepat e Tiranës. Shumë faleminderit,” thotë denoncuesja.