Më 6 shtator 2022, Pirro Vengu, atëherë Drejtor i Portit të Durrësit, firmosi një nga tenderët më të dyshimtë të atij viti: një vinç me vlerë 4.2 miliard lekë pa TVSH, i porositur nga kompania Hydropower, me pronar të vetëm biznesmenin Lulzim Kapllanaj. Tenderi u zhvillua pa konkurrencë, pasi Kapllanaj ishte i vetmi ofertues dhe çuditërisht edhe fituesi.
Ky tender ishte anuluar dy herë më parë, çka tregon për mungesë transparence dhe probleme procedurale, por në fund u rikthye dhe iu dha të njëjtit operator, pa sqarime të qarta për publikun. Dokumentet e tenderit shënonin dy flamuj të kuq, njëra për mungesën e konkurrencës dhe tjetra për procedurat e paqarta të rivlerësimit.
Ndërkohë, vetë Vengu ishte përfolur prej kohësh në ambientet e Portit si një drejtues autoritar dhe i dyshuar për abuzime të vazhdueshme me fondet publike. Pavarësisht këtyre fakteve dhe zërave të brendshëm, SPAK nuk hapi kurrë një hetim ndaj tij, as për këtë tender, as për pasurinë e deklaruar apo të padeklaruar.
Tre vite më vonë, më 6 shtator 2025, Pirro Vengu jo vetëm që nuk është përballur me drejtësinë, por u emërua nga Rama si Ministër i Mbrojtjes, një post kyç në qeverinë aktuale. Një ironi e hidhur për qytetarët që presin drejtësi, ndërsa drejtues të dyshuar për abuzim me miliona euro taksa ngjiten në nivelet më të larta të pushtetit.
Në vend që të ishte sot përballë drejtësisë për shkeljet flagrante në prokurime publike, Pirro Vengu është shpërblyer me një post të lartë qeveritar. Në Shqipëri, duket se tenderët me flamuj të kuq nuk të përjashtojnë, por të promovojnë. Ndërsa vinçi i Portit, blerë pa garë për 4.2 miliardë lekë, mbeti si simbol i abuzimit, vetë Vengu u ngrit drejt majave të politikës me një “vinç” tjetër atë të pushtetit.