Një trajnere gjimnastike mund të përballet me burgun në Turqi pasi është akuzuar për “mosrespektim” të flamurit kombëtar në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Një grua e identifikuar vetëm si ‘Merjem’ publikoi një video në llogarinë e saj në Instagram duke bërë akrobaci rreth një shtylle me flamurin turk në kalanë Uçhisar në Kapadokia.
Videoja, e xhiruar në mbrëmje me sfond perëndimin e diellit, tregon rutinën gjimnastike të saj nën flamurin turk dhe para vizitorëve. Postimi me mbishkrimin “kur Bosnja takon Turqinë” është parë mbi 186,000 herë në platformën sociale.
Zyra e Guvernatorit të Nevşehir-it konfirmoi nisjen e një hetimi penal dhe bëri me dije se gruaja mund të ndiqet penalisht sipas dy neneve të Kodit Penal turk. Zyra e Guvernatorit njoftoi se:
“Prokuroria e Nevşehir-it ka filluar hetim gjyqësor ndaj shtetases së huaj, në bazë të neneve 300 dhe 301 të Kodit Penal turk. Ky incident i neveritshëm, që e konsiderojmë si mosrespekt ndaj vlerave kombëtare dhe shpirtërore të kombit tonë, po ndiqet me kujdes dhe ndjeshmëri nga Zyra jonë.”
Sipas Nenit 300 të Kodit Penal, fyerja ose mosrespektimi i flamurit turk duke përfshirë “prerjen, djegien ose veprime të ngjashme” dënohet deri në tre vjet burg.
Videoja e vajzës nga Bosnja dhe Hercegovina ka shkaktuar debate të shumta online.
Disa komentues kritikuan ashpër duke thënë: “Mosrespekt ndaj flamurit tonë, tregoni pak kulturë,” dhe “Më vjen keq, flamuri turk nuk është vend për të kërcyer.” Një përdorues tjetër shkroi: “Ne e respektojmë flamurin tonë… Kjo nuk është një shtyllë për striptizë.”
Ndërkohë rikujtojmë se ditën e djeshme tifozët polakë të Jagiellonias përdhosën shtatoren e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu në sheshin qendror të kryeqytetit, por u larguan nga Tirana pa asnjë “gjemb në këmbë”.
JOQ ALBANIA publikoi pamjet ku tifozët shfaqeshin duke bërë veprime të turpshme para shtatores së Heroit Kombëtar, por Policia e Shtetit me në krye Ilir Prodën s’lëvizi as gishtin e vogël për të ndëshkuar këta tifozë që njihen si pro-serbë.
Të vetmit që u përpoqën të vendosin nderin dhe respektin në vend janë disa tifozë shqiptarë që sulmuan polakët dhe autobusin e tyre kur po shkonin drejt aeroportit, por ata janë arrestuar dhe disa prej tyre po ndiqen penalisht në gjendje të lirë.