Pas publikimit në JOQ, situata në të cilën ishte përballur qytetari Fadil Hyka me banim në zonën e ish-Sanatoriumit në Tiranë ka marrë zgjidhje.
Ashtu sikurse e raportuam edhe më parë, Fadili iu drejtua redaksisë sonë pasi prej kohësh ishte në një konflikt me fqinjin e tij, të cilët vite më parë kanë blerë tokë nga i njëjti pronar. Pronari u kishte lënë një rrugë të përbashkët, e cila së fundi është zaptuar nga komshiu i denoncuesit.
Fqinji i tij shtroi rrugën e përbashkët me beton, dhe vendosi një portë hekuri duke bllokuar daljen e vetme për familjen Hyka. Sipas Fadilit, e gjitha kjo ka ndodhur me bekimin e kryetarit të njësisë administrative Ardian Tufa, i cili nuk ndaloi këtë konflikt që lidhet me rrugën.
Por duket se Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit është zgjuar nga gjumi pasi rasti u publikua nga ana jonë, dhe rruga tashmë është hapur.
“Falë punës suaj tani erdhi IMT dhe e hoqi portën dhe mjetet e punës me të cilët zotëria do të bllokonte rrugën. Jeni më të mirët shumë faleminderit,” shkruan Fadili.
Gjatë pasdites së sotme JOQ kontaktoi dhe me fqinjët e Fadilit, të cilët akuzoheshin nga ky i fundit për bllokim të rrugës. Ata treguan se porta prej hekuri ka qenë në atë vend prej kohësh, dhe dalja e Fadilit ka qenë në krahun ku ndodhet shtëpia e vëllait të tij, por për shkak se vëllai nuk e lejon më të kalojë në atë krah, Fadili donte që të kalonte te rruga e shtruar me beton.