Një ditë më parë JOQ Albania denoncoi shqetësimin e Fadil Hykës, një qytetari që jeton në zonën e ish-Sanatoriumit në Tiranë.
Fadili prej disa kohësh ka një problem me fqinjin e tij, me të cilin 20 vite më parë blenë tokë nga i njëjti pronar. Ky i fundit u la atyre një rrugëkalim të përbashkët, i cili tashmë është kthyer në objekt debati mes dy blerësve.
Kjo pasi fqinji i Fadilit, ka vendosur të bëjë disa investime duke shtruar rrugën me beton, dhe në një pjesë të saj ka vendosur një portë hekuri, duke bllokuar rrugën e denoncuesit. Sipas Fadilit, e gjitha është bërë me bekimin e kryetarit të njësisë administrative Ardian Tufa, i cili nuk ka marrë asnjë masë.
“Tani komshiu e ka shtruar me beton me lejen e kryetarit të Njësisë Administrative, i ka vënë portë dhe ne nuk dalim dot nga shtëpia. Jemi shtëpi private të dyja,” shkruante dje denoncuesi.
Pas publikimit nga ana jonë, kryetari i njësisë administrative Ardian Tufa e ka telefonuar vetë Fadilin, duke i kërkuar që lajmi i publikuar nga ne të fshihet.
“Sapo e hodhët ju, direkt më mori në telefon kryetari i njësisë Ardian Tufa. Ishte frikësuar,” shkruan sot denoncuesi.
Por situata nuk ka marrë zgjidhje, pasi komshiu i Fadilit sot është parë i shtrirë para portës të vendosur pa leje, duke u thënë fqinjëve që nëse duan të kalojnë, duhet ta bëjnë mbi trupin e tij.
“Komshiu është agravuar madje tani u shtri në rrugë. Nëse mundeni postojeni dhe këtë se do a ndihmonit shumë. Atij nuk i ka ngelur gjë tjetër, vetëm të shtrihet në rrugë për të trembur fëmijët dhe gratë pasi pa postimin te ju. Ju falenderojmë për punën e palodhur që bëni,” përfundon Fadili.
Redaksia jonë do ta ndjekë këtë situatë deri në zgjidhje, në mënyrë që konflikti i nisur për një pronë të përbashkët të zgjidhet.