Zhdukja e Miklovanit në Spanjë: Kontakti i fundit me Juxhinin e Troplinëve, u arrestua në gusht

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 25.08.2025, 13:30

Hetimet për zhdukjen misterioze të Miklovan Danajt, babait të një fëmije të mitur që rezulton i humbur që prej 11 majit të këtij viti pas një dreke me bashkëshorten, kanë marrë tjetër rrjedhë pasi autoritetet spanjolle kanë identifikuar dy persona që dyshohet kanë qenë në kontakt me Danajn përpara zhdukjes.

Mediat raportojnë se një prej tyre është Juxhin Drazhi, 34 vjeçari i dyshuar si pjesë e grupit kriminal “Troplini” të drejtuar nga Elvis Doci, i njohur si “Visi i Pojës”. Ky grup dyshohet se ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine drejt vendeve të BE-së.

Drazhi është arrestuar më 8 gusht nga oficerët e Gardës Civile të Malagës në një vilë luksoze të vendosur në Almuñécar (Granada), falë 'masave të shumta të sigurisë' që kishin tërhequr vëmendjen e autoriteteve spanjolle.

Referuar mediave spanjolle, vetë Drazhi nuk dilte nga shtëpia për të shmangur identifikimin dhe përdorte bashkëpunëtorët e tij për t'i siguruar gjithçka që i nevojitej. Prona ku ai fshihej ishte një shtëpi luksoze me çdo komoditet, e vendosur në një vend të lartë, gjë që i lejonte të monitoronte mjedisin përreth dhe të parashikonte çdo ndërhyrje të policisë. Anëtarët e bandës mbanin armë zjarri dhe vetë Drazhi kishte edhe një eskortë në rast arratisjeje dhe rezistencë të mundshme të armatosur ndaj arrestimit.

Ditën që policia rrethoi vilën e tij luksoze, Juxhin Drazhi ia mbathi përtej shpatit të malit, duke përshkuar vendin, por u kap nga oficerët që rrethonin shtëpinë. Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, i orkestruar nga Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Për momentin, autoritetet spanjolle janë hermetike në dhënien e informacioneve nëse në shtëpinë ku ishte fshehur Drazhi janë gjetur gjurmë të Danajt apo ndonjë element që lidhet me zhdukjen e tij. Hetimet janë ende në zhvillim, por fakti që Drazhi ishte një nga personat e fundit që dyshohet se ka pasur kontakte me Dakajn para zhdukjes ngre dyshime të forta për rolin e tij në këtë çështje.

Kujtojmë se pak kohë më parë, familjarët e 30-vjeçarit kanë marrë një mesazh shqetësues nga një person i panjohur, i cili u ka thënë se “Miklovani është vrarë, mos e kërkoni”. Referuar këtij mesazhi, JOQ ALBANIA ka siguruar informacione ekskluzive se i riu është vrarë në Spanjë dhe trupi i tij është hedhur në det. Burime të afërta pranë Miklovanit, i njohur ndryshe edhe si "Keli" bëjnë me dije se shkak për vrasjen e tij është bërë trafiku i drogës, ku vetë i riu shkodran kishte arritur të forconte pozitat e tij në tregun europian.

Në muajin maj, ai dyshohet se është marrë peng, dhunuar, vrarë dhe më pas trupi i tij është hedhur në det.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit