Një javë më parë Emirion Mandreja një i ri nga Rrësheni, denoncoi në një intervistë ekskluzive dhunën që atij iu ushtua nga shefat e policisë së qytetit, mes tyre dhe shefi i Komisariatit Klodian Kondi.
Emirioni foli publikisht me emra, duke dërguar dhe foto nga plagët e të nxirat që mori në trup nga dhuna e efektivëve. Pas intervistës policia bëri një reagim të gjatë për ngjarjen, ku thoshte se Emirioni e dëmtoi kokën dhe trupin pasi ‘bëri luftë me muret dhe tavolinat e komisariatit’.
Sipas policisë, Emirioni nuk u dhunua nga shefi ‘boksier’ Klodian Kondi, por e dëmtoi vetë veten, madje tentoi të qëllojë dhe policët. Ngjarja natyrisht bëri bujë në mbarë vendin, duke trazuar dhe ujërat brenda radhëve të policisë, për të fshehur këtë skandal.
Emirioni i dhunuar në komisariat!

Kur kanë kaluar vetëm 6 ditë nga ai denoncim, Klodian Kondi del protagonist në një ngjarje tjetër, ku sipas një dëshmie që ka siguruar JOQ Albania, ai akuzohet se është përfshirë në rrahjen e një biznesmeni në qytetin e Sarandës.
Genci Ahmeti, tregon se si u dhunua nga Klodian Kondi në gusht të 2022. Ngjarja nisi me një sherr në biznesin e një të afërmeje të denoncuesit, ku ky i fundit nuk ishte i përfshirë. Ai akuzon Klodian Kondin se e përfshiu në ngjarje dhe e burgoi për 30 ditë.
“Ju siguroj që Klodian Kondi është një dhunues. Unë kam gati tre vite nëpër gjykata me këtë njeri. Në 17 gusht ndodhi një ngjarje që unë nuk isha fare aty, por ai më përzieu te ajo ngjarje. Bëri raport-shërbime false, detyroi punonjësit e vet të firmosin dhe u mor masë arresti 30 ditë ndaj meje. Në 2024 unë mora pafajësinë për këtë çështje,” tregon Genci.
Më tej ai shton se në momentin e shoqërimit në komisariat, por edhe pas shoqërimit, Klodian Kondi dhe ish-shefi i krimeve në Sarandë Erion Muho, e kanë dhunuar duke i shkaktuar plagë në trup, të cilat i fakton edhe me raporte mjekoligjore.



“Sot Klodian Kondi dhe ish-shefi i Krimeve të Sarandës Erion Muho janë të pandehu, dhe po e zvarrisin çështjen nëpër gjykata që të përfitojnë dhe të dalin të palagur. Po ju vendos në dispozicion fotot dhe raportet mjekoligjore. Ndaj meje është ushtruar një dhunë e pastër brenda komisariatit dhe ambienteve të biznesit, ku unë u mora me forcë dhe u dërgova në komisariat.”
Ai kërkon që Klodian Kondi të mbajë përgjegjësi për dhunën që ushtron ndaj të burgosurve, teksa apelon institucionet që ai të përjashtohet menjëherë nga radhët e Policisë. “Ky person duhet të largohet menjëherë nga radhët e policisë.”
Klodian Kondi, shefi që dhunon qytetarët

Mesazhi i plotë:
“Deoncimi i tyrë është bërë në 20 gusht të 2022 brenda ambienteve të gjykatës ku u dha masa e arrestit me raporte shërbimi të formosura me detryim dmth e falsifikuar gjithçka, vetëm e vetëm të ikin shenjat dhe rasti të mos bëhej publik. Fotot janë brenda komisariatit nga mjeku ligjor.”