Një ditë më parë pranë JOQ Albania erdhi një denoncim nga një qytetar i Vlorës, i cili tregoi se në 27 korrik ishte gjobitur në Durrës, ndërkohë që shtonte se me makinën e re që kishte blerë prej një muaji, nuk kishte qenë asnjëherë në këtë qytet.
Për të faktuar këtë ai ofroi si provë “GPS” e automjetit, i cili faktonte se kishte qëndruar vetëm në Vlorë. Gazetarët tanë u interesuan pranë Policsë së Durrësit, dhe në një reagim të mëvonshëm, u konfirmua se gjoba ishte vendosur gabimisht dhe do të anulohej.
Pasi ky rast gjeti zgjidhje, me dhjetëra denoncime mbërritën në redaksinë tonë, ku qytetarë të ndryshëm denoncojnë se janë gjobitur nga policia në Durrës, pavarësisht se nuk kanë qenë në atë qytet në datat kur kanë marrë ndëshkimet.
Për të raportuar një rast të ngjashëm me atë që raportuar dje, një qytetar nga Elbasani i është drejtuar redaksisë sonë. Ai thotë se në datën 8 korrik, ka marrë një gjobë për shkeljen “Ndalim i qëndrimit dhe pushimit të mjetit” në rrugën Bulevardi Dyrrha në Durrë.
Ai shton se në datën 8 korrik makinën e kishte të prishur dhe ka qenë në servis, dhe për këtë dërgon dhe foto nga telefoni. Ai më tej shton: “Unë jetoj në Elbasan dhe nuk kam qenë kurrë në qytetin e Durrësit. Disponoj foto që makinën e kam pasur në servis në datën 8”.
Pas këtyre pretendimeve, gazetarët tanë kontaktuan përsëri me Policinë e Durrësit, ku pas një verifikimi na u konfirmua se gjoba ishte vendosur gabimisht nga Policia Bashkiake, e cila kërkon dhe ndjesë ndaj qytetarit.
Ky është rasti i dytë në vetëm dy ditë, që qytetarë të cilët nuk kanë qenë fare prezent në qytetin e Durrësit janë ndëshkuar nga Policia për shkelje të ndryshme rrugore, dhe më pas është konfirmuar se gjobat janë vendosur gabimisht dhe padrejtësisht.
Këto raste ngrenë dyshime për një praktikë abuzuese dhe aspak të drejtë, ku ata që vuajnë në fund janë qytetarët e thjeshtë të cilët ndëshkohen për veprime që nuk i kanë bërë kurrë.
Gjoba:

Foto e makinës në servis:
