Policia e Tiranës ka reaguar pas denoncimit në JOQ ALBANIA për një konflikt të ashpër fizik mes dy biznesmenëve mbrëmjen e së hënës në kompleksin “Delijorgji” në Rrugën e Kavajës.
Për sherrin ku u sulmua brutalisht Laert Kasaj, pronar i restorantit “Tokyo”, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim dy persona: Ferhat Kaja, 31 vjeç dhe Oltian Kaja, 30 vjeç – të dy të njohur si pronarë të lokalit “Stockholm”, që ndodhet përballë vendit të ngjarjes.
Sipas burimeve për JOQ ALBANIA dhe dëshmitarëve në vendngjarje, sherri ka nisur pas një debati verbal, ku një nga agresorët thuhet se i është drejtuar Kasajt me fjalët: “Pse më ke denoncuar te Rama?”.
Dyshohet se sulmi ka ardhur pas një kallëzimi që Kasaj mund të ketë bërë ndaj biznesit të vëllezërve Kaja për zaptim të hapësirës publike, pas një aksioni të Policisë Bashkiake dhe IMT-së për lirimin e trotuareve.
Sipas njoftimit zyrtar, “Laert Kasaj dhe shtetasi E.K janë goditur me grushte dhe me sende të forta nga Ferhat Kaja dhe i afërmi i tij”, ndërsa pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar për në banesë.
Policia ka reaguar zyrtarisht për ngjarjen vetëm pas publikimit në JOQ, duke e cilësuar si një përplasje për “motive të dobëta”.
Ndaj Ferhat dhe Oltian Kaja është ngritur procedim penal dhe po punohet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.