Një pronar hoteli në Sarandë denoncoi për JOQ Bashkinë e Sarandës për mosveprim dhe mungesë transparence në planvendosjen e plazhit. Sipas denoncimit, edhe pse plazhi përballë hotelit të tij është miratuar fillimisht nga Agjencia e Bregdetit (AKB), Bashkia nuk ka lidhur kontratë me subjektin përkatës, por i ka dhënë përparësi një pale tjetër, e cila nuk zotëron asnjë strukturë akomoduese në zonë. Më tej, thuhet se kjo palë ka ngritur edhe një bar pa asnjë dokumentacion përpara hyrjes së hotelit ekzistues, ndërkohë që ankesat e përsëritura drejtuar institucioneve vendore kanë mbetur pa përgjigje.
Pas publikimit të këtij denoncimi, ka ardhur një reagim zyrtar nga Agim Taraj, pronar i “Sunset restorant – Ksamil” – Beach Bar & Restaurant, i cili mohon çdo akuzë për parregullsi. Në deklaratën e tij, Taraj thekson se biznesi i tij është plotësisht i ligjshëm dhe i pajisur me të gjitha dokumentet përkatëse, të verifikueshme nga çdo autoritet. Ai shton se prej 16 vitesh ka investuar në këtë ambient me përkushtim dhe transparencë, duke ndërtuar një vend të denjë për pushuesit dhe vizitorët e Ksamilit.
Reagimi:
Përshëndetje JOQ,
Deklaratë zyrëtare nga Agim Taraj, pronar i “Sunset restorant -Ksamil” – Beach Bar & Restaurant.
Me keqardhje kemi vënë re një përhapje të qëllimshme të informacioneve të pavërteta në lidhje me aktivitetin tonë në Ksamil. Dëshirojmë të sqarojmë se biznesi ynë është plotësisht i rregullt dhe i pajisur me të gjitha dokumentet ligjore përkatëse, të cilat mund të verifikohen në çdo moment nga autoritetet kompetente.
Prej 16 vitesh, personalisht kam ndërtuar këtë vend me shumë përkushtim, mund dhe dashuri – jo vetëm si një biznes, por si një destinacion mikpritës për të gjithë ata që duan të shijojnë pushimet me qetësi dhe cilësi. Çdo investim dhe përmirësim është bërë me transparencë dhe pasion për punën.
Fatkeqësisht, disa individë zgjedhin të hedhin baltë mbi punën e ndershme të të tjerëve, ndoshta për interesa personale apo konkurrencë të pandershme. Ne nuk do t’i përgjigjemi me të njëjtën gjuhë urrejtjeje, por me shërbim cilësor dhe korrektësi, siç kemi bërë gjithmonë.
Ftojmë të gjithë klientët, bashkëpunëtorët dhe miqtë tanë që të mos bien pre e shpifjeve dhe të na vizitojnë për ta parë vetë profesionalizmin dhe atmosferën që ne ofrojmë.
Faleminderit për besimin ndër vite! Me respekt,
AGIM TARAJ