Dje, JOQ publikoi denoncimin e një banorëve ne Shëngjin në lidhje me shqetësimet e banorëve të zonës së Ranës së Hedhun, të cilët akuzuan Ilyonis Hotel për uzurpimin e një pjese të plazhit publik. Sipas denoncimeve, një segment i plazhit është bllokuar dhe shndërruar në pistë për jet ski dhe anije, duke paraqitur rrezik për sigurinë e pushuesve.
Pas publikimit të këtij lajmi, ka reaguar Ilyonis Hotel dhe ka mohuar akuzat. Sipas hotelit, ata nuk kanë asnjë hapësirë plazhi të zënë dhe asnjë aktivitet i tillë nuk është organizuar nga ana e tyre. Ata gjithashtu theksuan se mjetet lundruese që shihen në video janë në det të hapur dhe kërkuan që shkeljet, nëse ka, të trajtohen nga autoritetet shtetërore.
Reagimi i Ilyonis Hotel
Përshëndetje, Pasi jemi bërë me dije për artikullin tuaj ditën e sotme, në lidhje me shqetësimin që keni publikuar, duke u pretenduar se Hotel ILYONIS ka bllokuar një segment të plazhit publik duke e shndërruar në pistë për jet ski dhe anije, jemi të detyruar të kërkojmë nga ju të mos vazhdoni me publikimin e një lajmi të rremë, ose minimalisht ta përgënjeshtroni këtë pavërtetësi. Ne, si hotel apo subjekt tregtar, nuk kemi asnjë hapësirë plazhi të zënë në asnjë formë dhe për asnjë shërbim. Kjo duket qartazi edhe nga pamjet e publikuara prej jush. Në video shihen mjete lundruese, të cilat janë në det të hapur dhe që as për t’i identifikuar nuk i identifikojmë dot; dhe për shkeljet që ata mund të kryejnë, janë institucionet shtetërore që duhet të angazhohen në evidentimin dhe penalizimin e tyre, nëse janë në kundërshtim me ligjin. Lutemi të mos keqpërdoret emri i subjektit tonë, me qëllim ndikimin negativ tek publiku dhe klientët tanë, pa shkak të ligjshëm, pasi na dëmtoni pa të drejtë në punën tonë. Jemi në pritje të një reagimi të shpejtë nga ana juaj.
Banorët e zonës kanë kërkuar ndërhyrjen urgjente të autoriteteve për të rivendosur rendin dhe sigurinë në plazhin publik, duke theksuar se hapësira për pushues është ngushtuar ndjeshëm dhe se situata po përkeqësohet për shkak të mungesës së kontrollit nga institucionet përkatëse. Ata kërkojnë veprime konkrete për të garantuar aksesin e lirë dhe të sigurt në bregdet.