Rama gënjen, sezoni turistik në krizë: mungesa e ujit e ndotja po fundosin turizmin shqiptar

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 13.07.2025, 09:45

Mungesa e ujit në Golem, ndotja e plazheve në jug dhe çmimet abuzuese po largojnë turistët dhe zbulojnë gënjeshtrat e qeverisë për rritjen e turizmit në vitin 2025.

Të gjitha sinjalet për sezonin turistik 2025 po shkojnë drejt një përfundimi zhgënjyes. Qeveria vazhdon të mburret me rritje fiktive dhe statistika të zbukuruara, por realiteti në terren tregon një situatë të zymtë. Turistët po largohen, sidomos nga jugut i vendit, për shkak të ndotjes në plazhet e reja, ndërsa destinacionet si Vlora, Himara dhe Saranda janë kthyer në sinonim të çmimeve të kripura, pa asnjë inovacion dhe pa një përvojë mikpritjeje të mirëfilltë.

Në vend të investimeve afatgjata, qeveria dhe pushteti vendor kanë zgjedhur rrugën më të lehtë: ndërtime pa kriter dhe improvizim infrastrukturor, duke e kthyer të ashtuquajturën “rritje turistike” në një blof sezonal. Ndërkohë, Golemi, një ndër destinacionet më të frekuentuara përmes turizmit të organizuar, po përjeton krizën më të madhe të dekadës: mungesën e plotë të ujit të pijshëm, në kulmin e verës.

Situata në Golem është bërë e paqëndrueshme. Për shkak të riparimeve në rezervuarin e Manskurisë, bizneset janë detyruar të investojnë në puse dhe bote, ndërkohë që uji nuk përmbush as standardet minimale. “Nëse kjo vazhdon, mungesa e ujit do të jetë problemi kryesor i këtij sezoni”, paralajmëroi sipërmarrësi Fatos Çerenishti. Mungesa e ujit nuk është më problem teknik – është dështim politik dhe institucional.

Për më tepër, plazhet në jugin e vendit janë kthyer në kantiere ndërtimi, me zhurma, pluhur, mbeturina dhe mungesë të plotë kontrolli mjedisor. Ndotja dhe pamjet e papërshtatshme kanë filluar të përhapen edhe në mediat e huaja, duke i dhënë goditjen e radhës imazhit të Shqipërisë si një destinacion në rritje.

Çmimet gjithashtu po trembin çdo kategori pushuesish. Një darkë mesatare në jug kushton më shumë se në një qytet evropian, ndërkohë që shërbimet janë të një niveli të ulët. Saranda dhe Himara janë kthyer në destinacione elitare vetëm në letër, ndërsa në realitet nuk ofrojnë asgjë që justifikon çmimet e majme.

Turizmi individual ka rënë ndjeshëm. Të vetmit që ruajnë stabilitet janë grupet e organizuara, siç janë polakët dhe spanjollët, të cilët vijnë përmes kontratave të garantuara. Edhe këta operatorë po tërhiqen dhe nuk po kërkojnë më shtim kapacitetesh si më parë. Kjo tregon se Shqipëria po konsumon besimin e pak viteve të fundit.

Në këtë situatë alarmante, qeveria jo vetëm që nuk pranon përgjegjësinë, por po ushtron presion mbi administratat lokale, siç ndodhi në disa bashki të jugut. Në vend që të ndihmojë, ajo ka sabotuar përpjekjet lokale për menaxhimin e sezonit me aksionet e fundit në Theth. Kjo është prova se vetë qeveria është problemi kryesor për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Për të përkeqësuar më tej situatën, në vend që të forcohet infrastruktura apo lidhjet ajrore, siç ishte premtuar me aeroportin e Vlorës, tur-operatorët janë detyruar të rinegociojnë kontratat dhe të përballojnë kosto shtesë. Këto pengesa po sjellin pasiguri të madhe për investitorët dhe turistët.

Edhe pse ka shpresë që muaji shtator dhe turet kulturore të rrisin disi numrat, dëmi i sezonit veror tashmë është i pakthyeshëm. Shifrat e qeverisë që flasin për rritje janë një manipulim i radhës, i papërputhshëm me dëshmitë e operatorëve dhe sipërmarrësve turistikë.

Situata në sektor është produkt i një logjike shtetërore që sheh vetëm fasadën, dhe jo përmbajtjen. Në vend të një strategjie të qëndrueshme për turizmin, Shqipëria ka zgjedhur betonin, çmimet e larta dhe propagandën. Nëse kjo qasje vazhdon, sezoni 2025 do të shënojë jo vetëm një rënie të përkohshme, por fillimin e një prapambetjeje serioze.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit