Golemi pa ujë, ndërsa nyja e Manskurisë shkatërron sezonin turistik

Shkruar nga: K Demiraj | Publikuar më: 13.07.2025, 09:24

Ndërhyrja te rezervuari i Manskurisë ka lënë pa ujë Golemin në kulmin e sezonit turistik, duke dëmtuar rëndë banorët dhe bizneset në zonë

Ndërsa mijëra turistë kanë mbërritur në Golem për të kaluar pushimet, fshati turistik ndodhet përballë një krize të rëndë ujore. Shkak është bërë ndërhyrja e nisur në rezervuarin e Manskurisë, një projekt i shpallur në janar me vlerë mbi 4 milionë euro. Edhe pse nuk do të ndalemi tek mënyra se si është fituar tenderi, ndikimi që kjo ndërhyrje ka për jetën e përditshme në Golem është katastrofik.

Projekti, që sipas institucioneve kishte si synim rritjen e sigurisë së digës pas një defekti të identifikuar në vitin 2015, është kthyer në një hallkë tjetër të dështimeve institucionale. Në vend që të kryhej me planifikim dhe koordinim, punimet nisën në mënyrë që i kapën të papërgatitur të gjithë banorët, përfshirë pronarët e hoteleve, restoranteve dhe mijëra pushues.

Rezervuari ndodhet mbi zonën e Golemit dhe është burimi kryesor i ujit për gjithë bashkinë e Kavajës. Tani që po zbatohet projekti, pritet që ai të mos kthehet në funksion përpara vjeshtës. Kjo do të thotë se përgjatë gjithë verës, Golemi do të përballet me mungesë të ujit të pijshëm në kulmin e fluksit turistik.

Në dokumentet teknike të publikuara në atë kohë, zbulohet se në digën e Manskurisë ishte hapur një pus në pjesën e poshtme, nga ku kishte rrjedhje të ujit në formë burimi. Megjithatë, për vite me radhë nuk është bërë asnjë ndërhyrje konkrete, përveç njoftimeve për një projekt rehabilitimi të përgjithshëm.

Plani i ndërhyrjes parashikon çarjen e kontrolluar të digës dhe zëvendësimin e aksit të ujëlëshuesit me një të ri, në mënyrë që të analizohen dhe korrigjohen dëmet. Por ndërkohë që punimet vazhdojnë, pasoja më e madhe bie mbi komunitetin dhe sektorin turistik.

Ndërhyrja, sipas projektit, do të përfshijë gjithashtu rehabilitimin e drenazheve dhe të skarpatave të digës, si dhe eliminimin e mundshëm të gropave të fshehura. Megjithatë, këto punime nuk justifikojnë mënyrën e papërgjegjshme si po administrohet ky proces në raport me jetën sociale dhe ekonomike të zonës.

Në vend që të nxitin zhvillimin, këto ndërhyrje të pakonsultuara po dëshmojnë mungesën kronike të një vizioni afatgjatë dhe të ndjeshëm ndaj interesit publik. Golemi sot nuk ka ujë. Nesër, ndoshta, nuk do të ketë më as turistë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit