Një histori tenderash që ngjan më shumë me një “romancë verore” po zhvillohet mes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP) të drejtuar nga Arlinda Pogaj dhe kompanisë “Mektrin Motors” e lidhur me kryebashkiaken e Durrësit, Emiriana Sako. Mektrin Motors, me seli në Xhafzotaj të Durrësit, ka përfituar në mënyrë të përsëritur tendera publikë me vlera të larta brenda një kohe shumë të shkurtër – madje edhe brenda të njëjtës ditë.
Në datën 3 korrik, OBP i ka dhënë “Mektrin Motors” tenderin me vlerë rreth 800 mijë euro për blerjen e zjarrfikëseve dhe automjeteve “Pick-Up” për Autoritetin Rrugor Shqiptar. Në këtë procedurë morën pjesë disa kompani, mes tyre edhe firma shqiptare “TIMAK”, e cila është prodhuese e mjeteve zjarrfikëse për disa shtete europiane, përfshirë dhe autoambulanca për Ukrainën. E megjithatë, OBP vendosi ta skualifikojë.

Në dokumentet zyrtare, arsyeja e skualifikimit të “TIMAK” ishte mungesa e një autorizimi nga prodhuesi i mjetit japonez “ISUZU”, si dhe mosparaqitja e disa dokumenteve teknike dhe dëshmive për furnizime të mëparshme mbi 40% të vlerës së tenderit. Një listë kërkesash që duket sikur ishte “qepur” fiks për të favorizuar një fitues të paracaktuar: “Mektrin Motors”.

Skualifikimi nuk ndal vetëm te “TIMAK”. Edhe kompani të tjera pjesëmarrëse si “SPARKLE 32”, “START CO” dhe “ARTEO 2018” janë përjashtuar për arsye që lidhen me “mungesë të xhiros vjetore” apo “mospërmbushje të kritereve teknike”. Rezultati? Një kompani e vetme në garë dhe një fitore e sigurt për “Mektrin”.
Por “dashuria” nuk mbaron këtu.
Në të njëjtën ditë, OBP shpall “Mektrin” fituese edhe të një tenderi tjetër, me objekt “blerje minibusa për Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe automjet për AKDC”. Në këtë rast, loti i parë kishte një fond limit prej 13.3 milionë lekësh pa TVSH, ndërsa “Mektrin” e fitoi me një ofertë thuajse të plotë – duke i “kursyer” shtetit më pak se 5 mijë euro.

Kujtojmë se pak ditë më parë, i njëjti operator i ka dhënë “Mektrin” një tjetër tender shumë të diskutueshëm për marrjen me qira të 60 automjeteve SUV për Policinë e Shtetit, me vlerë rreth 2 milionë euro. Skandali i kësaj procedure ishte se, me një kalkulim të thjeshtë, çdo makinë do t’i kushtonte shtetit shqiptar rreth 34 mijë euro për 4 vite përdorim – më shumë sesa kushton të blihet një makinë e re e të njëjtit lloj.

Dhe kjo ndodhi pavarësisht se dy kompani të tjera kishin oferta më të ulëta: “Albania Motor Company” me 171 milionë lekë dhe “Porsche Leasing” me 194 milionë lekë. Të dyja u skualifikuan për arsye që ngjajnë më shumë me formalizma burokratikë se me standarde reale.
Kësisoj, për çdo tender ku shfaqet “Mektrin Motors”, duket se fjalia e vetme që mbetet në fuqi është:
“Kur futet Mektrin, hapni rrugë!”
Në vend të garës, transparencës dhe eficiencës së shpenzimeve publike, qytetarët shohin një institucion që shpërndan miliona euro me një arrogancë që të le pa fjalë. Të gjitha këto ndodhin në heshtjen totale të institucioneve kontrolluese dhe nën hijen e një lidhjeje që nuk mund të quhet ndryshe përveçse një dashuri me tendera.