Një skandal me përmasa të mëdha financiare ka shpërthyer në Durrës, ku kompania “Mektrin Motors”, e lidhur drejtpërdrejt me familjen e kryebashkiakes Emiriana Sako, ka përthithur rreth 9 milionë euro tendera publikë, nëpërmjet një rrjeti kompanish fantazma të regjistruara në emra të të afërmve të saj.
Kompania “Mektrin Motors” u themelua nga Landi Shahini, bashkëshorti i Sakos, i cili në vitin 2008 rezulton sipas mediave se ka qenë nën hetim në Itali për trafik droge dhe kontrabandë makinash. Në momentin që i erdhi dosja, ai i kaloi aksionet me një shitje fiktive prej 2.3 milionë lekësh vëllait të tij Edmond Shahini, dhe i ndryshoi emrin nga “Blu-Auto” në “Mektrin Motors”.
Fillimisht një servis i thjeshtë makinash për privatë, kompania ndryshoi drejtim pas futjes së Sakos në PS dhe ngjitjes së saj në poste drejtuese në bashkinë e Durrësit. Pas emërimeve të saj si drejtoreshë zhvillimi, nënkryetare, dhe më pas kryetare bashkie, “Mektrin Motors” filloi të fitonte tenderë për makina me qira për institucione shtetërore dhe bashki.
Sipas të dhënave nga Regjistri i Prokurimeve Publike, “Mektrin Motors Sh.p.k” ka përfituar tenderë nga:
Ujësjellësi Durrës (në varësi të Sakos),
Ministria e Mbrojtjes,
Ministria e Turizmit,
Drejtoria e Policisë së Shtetit,
Komisariatet e policisë në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Sarandë, Gjirokastër, Korçë, Berat, Elbasan, Lezhë dhe Kukës,
Komisioni i Prokurimeve Publike,
Bashkia Elbasan,
Albpetrol,
Posta Shqiptare,
Inspektorati Qendror,
Agjencia e Rinisë,
Drejtoria e Rrugëve, etj.
Më 24 qershor 2025, “Mektrin Motors” përfitoi një tjetër kontratë me vlerë 2.4 milionë euro nga Policia e Shtetit, me firmën e drejtorit Ilir Proda, ndonëse kishte një ofertë tjetër 300 mijë euro më të ulët.
Përveç “Mektrin Motors”, mediat raportojnë se miliona euro janë kanalizuar, fshehur dhe pastruar përmes 11 kompanive të tjera fantazma, të regjistruara në emra të afërmve të Sakos – bashkëshortit, vëllait dhe kunatit – me aktivitet të gjerë dhe të dyshimtë:
EUROCAR Rentals Sh.p.k – Servis, tregti dhe dhënie me qira makinash e mjete lundruese.
GLIKO Sh.p.k – Zhvillim software dhe sisteme dixhitale.
Wolf Technologies Sh.p.k – Zbatim aplikacionesh në të gjitha platformat.
GTACC Sh.p.k – Import-eksport, tregtim mallrash dhe tregti/qira makinash.
General Construction Group AL – Ndërtime civile, industriale dhe projekte.
COMPROSER Sh.p.k – Tregti, import-eksport dhe ndërtime.
Landi Shahini – Person Fizik – Ndërtime, import-eksport, tregti dhe qira makinash.
Anxhelo Sako – Person Fizik – Import-eksport mallrash, makina dhe ndërtime.
GEF.AL Sh.p.k – Tregtim me shumicë i naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre.
RENT ME Sh.p.k – Tregtim dhe qira mjetesh motorike.
GO 5 FIVE Sh.p.k – Botime, projekte grafike dhe reklama.
Këto firma ka dyshime se përdoren për të manipuluar garat, rritur vlerat fiktive të tenderëve, dhe mosdeklaruar të ardhura, ndërkohë që SPAK dhe qeveria “Rama” nuk kanë ndërmarrë asnjë hetim penal, pavarësisht konfliktit të qartë të interesit dhe dyshimeve për pastrim parash, korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Nëse kjo nuk quhet kapje e shtetit nga familjarë të pushtetit, atëherë çfarë është?