Një ditë më parë, JOQ Albania publikoi pamje shqetësuese që tregonin disa anije turistike teksa hedhin mbeturina dhe ujëra të ndotura në Gjirin e Kakomes, pa asnjë shqetësim për dëmin që i shkaktojnë mjedisit dhe ujërave të detit.
Pushues të shumtë që kanë zgjedhur këtë gji të qetë për të kaluar pushimet kanë ngritur vazhdimisht alarmin, duke u drejtuar me ankesa tek autoritetet përkatëse. Por pavarësisht denoncimeve të përsëritura, as Policia dhe as Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk kanë marrë masa konkrete.
“Kam bërë katër kallëzime në Policinë Kufitare për ndotjen në Gjirin e Kakomes, por nuk reagojnë. Ju lutem, bëjeni publik!”, shkruan një qytetar i indinjuar, duke theksuar përpjekjet e tij për të ndalur këtë fenomen.
Pamjet flasin vetë, jashtëqitje dhe mbeturina që lundrojnë në sipërfaqen e detit, atje ku dikur uji ishte i kristaltë dhe plazhi tërhiqte qindra vizitorë për qetësinë dhe bukurinë e tij natyrore.
Situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Provat ekzistojnë, por duket se mungon vullneti institucional për të ndëshkuar ndotësit.
Ne do të vazhdojmë të raportojmë çdo rast që dëmton turizmin dhe përkeqëson përvojën e pushuesve. U bëjmë thirrje qytetarëve të vazhdojnë të denoncojnë raste të tilla, sepse heshtja i ndihmon ndotësit.