Policia e Vlorës ka reaguar pas denoncimit të publikuar një ditë më parë nga JOQ Albania, ku një efektiv i komisariatit lokal shihej duke lëvizur me motor në mes të autostradës, pa targa dhe pa kaskë mbrojtëse.
Në reagimin zyrtar thuhet se pas publikimit të pamjeve, Sektori i Qarkullimit Rrugor ka kryer verifikimet e nevojshme dhe ndaj punonjësit të policisë është vendosur një gjobë prej 30 000 lekësh. Ai është ndëshkuar për tri shkelje: mospërdorim të kaskës mbrojtëse, qarkullim me mjet pa targë metalike dhe mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm të mjetit.
Kjo nuk është hera e parë që JOQ Albania denoncon raste të shkeljeve të rregullave nga ana e punonjësve të policisë. Në vend që të jenë shembull për qytetarët, shpesh ata rezultojnë ndër të parët që nuk respektojnë ligjin. Më herët kemi raportuar edhe raste të rrezikimit të jetës së qytetarëve nga policët që kryejnë parakalime të rrezikshme brenda tunelit me dy korsi të ngushta në Murriz.
Redaksia jonë apelon për respektim të rregullave të qarkullimit rrugor nga të gjithë drejtuesit e mjeteve, përfshirë edhe ata që mbajnë uniformën e shtetit.
Njoftimi i plotë i Policisë:
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë
Në lidhje me një video të publikuar në portalin online “JOQ Albania”, ku shfaqet një punonjës policie duke qarkulluar me një motomjet pa targa dhe pa vendosur kaskën mbrojtëse, sqarojmë opinionin publik se, menjëherë pas publikimit të pamjeve, nga Sektori i Qarkullimit Rrugor në DVP Vlorë u kryen verifikimet përkatëse dhe u mor masa administrative ndaj punonjësit në fjalë.
Ndaj drejtuesit të motomjetit, me detyrë punonjës policie pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, u vendos masë administrative në vlerën 30 000 lekë, për shkelje të dispozitave të Kodit Rrugor, që lidhen me mospërdorimin e kaskës mbrojtëse, qarkullimin me mjet pa targë metalike dhe mungesën e dokumentacionit të mjetit.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë siguron opinionin publik se shkelje të tilla trajtohen me seriozitet dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor, pa asnjë lloj përjashtimi apo tolerance.
Falënderojmë median dhe qytetarët për bashkëpunimin dhe i ftojmë të vijojnë të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje që cenon rendin dhe sigurinë, përmes numrit pa pagesë 112.