Institucioni organizues: Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, Tiranë Titullari i institucionit: Piro Sinjari Objekti i tenderit: Blerje boje për sinjalistikë rrugore Vlera e tenderit: 50 milion lekë të reja Numri i referencës: REF-37912-02-12-2025
Një denoncim i ri ka dalë në dritë mbi parregullsitë dhe favorizimet e vazhdueshme në tenderët publikë, konkretisht për një procedurë të zhvilluar nga Drejtoria e Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Tiranë. Sipas dokumenteve dhe dëshmive të siguruara, tenderi i radhës duket se është taksur për kompaninë e zakonshme “fituese”: RS&M, në pronësi të Nikolla Çaçit, një emër që shfaqet rregullisht në tenderët publikë dhe jo vetëm.
Skualifikim i të gjithëve, për të shpëtuar “të preferuarin”
Sipas kompanisë denoncuese në këtë tender janë skualifikuar të gjithë pjesëmarrësit, përfshirë ata që kanë përmbushur kushtet ligjore dhe teknike, vetëm për të mbrojtur RS&M-në, e cila sipas tyre, ishte kapur në shkelje flagrante.
“Ata kanë pasur mungesë të mostrave dhe dokumentacion të paplotë. Kjo është arsye për skualifikim automatik, sipas ligjit për prokurimin publik. Por për të mos i prekur RS&M, na skualifikuan ne me një justifikim absurd për ‘punime të ngjashme’, ndërkohë që kemi dorëzuar dyfishin e vlerës së kërkuar.” – thuhet në reagimin e kompanisë.
Kompani “figurante” për të justifikuar garën
Sipas denoncuesit në tender janë përfshirë edhe kompani të cilat nuk operojnë fare në fushën e sinjalistikës rrugore, duke ngritur dyshime të forta se janë thjesht të përdorura për të plotësuar numrin minimal të garuesve dhe për të simuluar një “garë të rregullt”.
Një skemë që përsëritet çdo vit: gjithmonë fiton RS&M
Nga hetimet e redaksisë dhe verifikimi i tenderëve të viteve të kaluara, rezulton se çdo vit ky tender është fituar nga kompania RS&M, që duket se gëzon mbrojtje të posaçme në institucion, sipas denoncuesve. Në një tjetër tender të ngjashëm me vlerë 41 milion lekë, gjithashtu pritet që fitorja t’i shkojë po kësaj kompanie – një kompensim i pastër për vlerën e tenderit aktual, sipas akuzave.
Nikolla dhe Stefan Çaçi, babë e bir në garë për fondet e bashkisë
Ky nuk është rasti i parë ku RS&M dhe figura të lidhura me të përmenden në skandale tenderësh. Kujtojmë se redaksia jonë ka raportuar më herët edhe një tjetër rast ku babë e bir, Nikolla dhe Stefan Çaçi, rezultojnë të kenë garuar në dy tenderë të ndarë nga Bashkia Tiranë me vlerë 90 milion lekë, një praktikë që ngre pikëpyetje të mëdha për konflikt interesi dhe manipulim të konkurrencës.
Transaksionet e Gentian Gjyli dhe lidhja me klientët “VIP” të shtetit
Një tjetër emër që del në sipërfaqe në këto transaksione është Gentian Gjyli, i njohur për transaksione të mëdha financiare për llogari të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Ndër klientët e rregullt të këtyre transaksioneve rezulton të jetë pikërisht Nikolla Çaçi, pronari i RS&M-së.
Denoncimi, në pritje të ankimimit në KPP
Denoncuesi shprehet se ka mbledhur të gjitha provat për të ndjekur çështjen në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP), por për këtë i duhet të paguajë një tarifë prej 2.7 milion lekësh të reja, një barrë e rëndë financiare për shumë biznese që kërkojnë drejtësi.
Një tender, shumë shkelje dhe një emër që përsëritet!
Ky denoncim hedh dritë mbi një tjetër skemë të dyshimtë tenderësh, ku duket se ligji, transparenca dhe konkurrenca lihen mënjanë për të favorizuar emra të njohur që prej vitesh grumbullojnë miliona nga fondet publike, në kurriz të bizneseve të ndershme dhe taksapaguesve shqiptarë.