Vajza falsifikoi mesazhet dhe ‘detyroi’ të atin t’i vriste dajën, zbardhet ngjarja

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 12.04.2025, 17:09

Një kthesë dramatike ka marrë çështja gjyqësore për vrasjen e 33-vjeçarit Erjon Pelivani, pas dëshmisë befasuese të vajzës së të pandehurit, e cila pranoi në gjykatë se kishte falsifikuar mesazhe për të mashtruar të atin.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 9 janar 2024, pranë një fabrike çimentoje në Volos, ku Fatmir Tarellari, 51 vjeç, qëlloi me armë gjahu dhe i mori jetën kunatit të tij, Pelivanit. Ai akuzohet për vrasje me dashje, armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës.

Sipas dosjes gjyqësore, gjithçka nisi kur pronarja e banesës ku jetonte vajza e Tarellarit, një studente 19-vjeçare, kontaktoi familjen për mospagesën e qirasë. Ndërkohë që i ati pretendonte se paratë ishin dërguar në kohë, vajza justifikoi mospagesën duke i thënë se ishte shantazhuar dhe abuzuar seksualisht nga daja i saj, viktima.

Për të bindur të atin, ajo i tregoi mesazhe që dukeshin sikur ishin dërguar nga Pelivani, duke e shtyrë atë drejt aktit ekstrem. Por hetimet e mëvonshme të policisë greke zbuluan se këto mesazhe ishin të manipuluara.

Në sallën e gjyqit në Larisë, vajza pranoi se kishte sajuar vetë bisedat, duke përdorur materiale nga komunikimi me të dashurin e saj, të cilat më pas ia atribuoi Pelivanit për të krijuar një histori të rreme.

Kujtojmë se atë kohë vajza deklaroi se:

“I tregova babit se dikush më ngacmoi kur isha në moshën 9-vjeçare dhe më përdhunoi kur isha 12 vjeçe. Shpërtheva në lot. Babai më përqafoi. Reagoi ftohtë dhe më tha se do të ishte gjithmonë në krahun tim. Më tha se do të gjenim një avokat për ta raportuar”

I pandehuri Tarellari deklaroi në gjyq se kishte vepruar në gjendje emocionale të rënduar, duke besuar se po mbronte vajzën e tij nga një abuzim.

“Ishte periudha më e errët e jetës sime. Kam bërë një gabim të rëndë. Jam i shkatërruar,” – tha ai në sallën e gjyqit.

Ndërkohë, procesi gjyqësor vazhdon, teksa gjykata pritet të përcaktojë përfundimisht përgjegjësitë për këtë ngjarje tragjike, e cila tashmë ka marrë një dimension të ri moral dhe ligjor pas dëshmisë së vajzës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit