Pasi Bashkia e Tiranës na mahniti me suksesin e saj administrativ, zhvendosjen heroike të një kioske plot 12 metra larg nga vendi fillestar, tashmë kemi një tjetër zhvillim epik në këtë sagë të pabesueshme urbane!
Pronari i kioskës, i cili pas denoncimeve të qytetarëve për zënie e hapësirës publike ngeli pa gjë, vendosi të zgjidhë situatën me një metodë edhe më inovative: ofroi 20 mijë euro për të zbuluar se kush e denoncoi!
Po, e lexuat mirë. Nuk u përpoq të justifikohej, nuk u shqetësua për prishjen e hapësirës publike apo për shqetësimin e banorëve, por me plot zemërgjerësi, vendosi të shpërblejë “guximtarin” që do t’i tregonte emrin e spiunit.
"Unë kioskën e hoqa, po kur të doni hajdeni merrni 20 mijë euro, veç më tregoni se kush i niste fotot," – ishte mesazhi brilant i njeriut që padyshim ka një të ardhme të ndritur në politikën shqiptare.
Kjo është një skenë klasike që vetëm në Shqipëri mund të ndodhë: nga patronazhistët tek patronazhi i denoncimeve, nga kioska tek pagesat për të zbuluar "spiunin e lagjes".