Pas denoncimit të JOQ, kioska e “patronazhistit” spostohet… 12 metra!

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25.03.2025, 20:35

Një histori e vërtetë suksesi administrativ vjen nga Bashkia e Tiranës, e cila, me një vendimmarrje të guximshme dhe revolucionare, arriti të spostojë një kioskë problematike plot 12 METRA larg nga vendi fillestar. Një shembull i pastër i efikasitetit dhe angazhimit ndaj qytetarëve!

Gjithçka nisi kur një banor i lagjes Fusha e Aviacionit denoncoi tek JOQ Albania se një kioskë, që sipas tij ishte dhuratë për një "patronazhist" besnik, ishte vendosur në mes të një lulishteje, duke penguar hapësirën për fëmijët. Banorët u shqetësuan, jo për faktin që s’kanë ku të parkojnë pa u gjobitur çdo 5 minuta, por sepse një objekt 30 metra katror u shfaq magjishëm në mes të hapësirës publike.

Pas publikimit të rastit nga JOQ, bashkia reagoi me një lëvizje të shkëlqyer strategjike: e spostoi kioskën 12 metra më tutje! Qytetari që bëri denoncimin raportoi përsëri, duke ironizuar këtë manovër brilante të institucioneve:

"Përshëndetje JOQ! Pas denoncimit të parë, për të cilin ju falënderoj për postimin, objekti në fjalë u spostua në anën tjetër të rrugës, 12 metra më poshtë, me qëllim që të dukej sikur problemi ishte zgjidhur. Në fakt, thjesht e kanë kaluar në anën tjetër të rrugës, në mënyrë që, nëse rasti bëhej shumë mediatik, bashkia të pretendonte se e kishte hequr. Dhe në të vërtetë, nga aty e larguan, por thjesht e zhvendosën rreth 12 metra më tej."

Me këtë lëvizje, Bashkia e Tiranës na kujton se "problemet nuk zgjidhen, thjesht zhvendosen", duke na rikthyer nostalgjinë e kioska-manisë së viteve ‘90. Me këtë ritëm, ka shpresa që deri në vitin 2050, kioska të arrijë në Durrës.

Në përfundim, mbetet vetëm një pyetje për qytetarët: A është 12 metra largësia e duhur për të mos u shqetësuar më, apo duhet një plan tjetër 5D për lëvizjen e kioskave në të ardhmen?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit