Qytetarë të fshatrave të Kamzës kanë denoncuar sot gjendjen e rëndë të rrugës së urës së Çerkezës në Zall Herr, të mbushur me gropa e gërmadha inertesh që e bëjnë thuajse të pakalueshme në një pjesë prej 400-500 metrash.
Në pamjet e dërguara në redaksi shihen pirgje inertesh e copa të mëdha betoni në rrugën me gropa që përdoret nga banorët e fshatrave të Zall Herrit.
Rruga "Argjinatura" nuk është riparuar prej të paktën dy vitesh dhe shpesh banorët tentojnë të mbushin vetë gropat me beton për të lehtësuar kalimin, ndërsa institucionet bashkiake nuk kanë denjuar të ndërhyjnë.
Kalimi në fjalë është denoncuar më herët nga banorët dhe JOQ, por kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli në vend t’i përgjigjej shqetësimit të qytetarëve, me arrogancë deklaroi se “nuk do ta riparonte, si një formë dënimi” për denoncimin e tyre në media.
Ndërkohë rruga e shkatërruar është kthyer në një makth për qindra banorë që duhet ta përdorin atë përditë për të kryer verimet bazë të mbijetesës.
Vendasit shkruajnë në redaksi:
“Pershendetje, Ju lutem postojeni keto video. Rruga Argjinatura qe na kercenoi Rakip Suli qe s’do e rregulloje nga inati, esht kthyer ne germadha inertesh”