Asociacioni i Gazetarëve dënon mbylljen e Tik-Tok: Vendim ekstrem kundër informacionit të lirë, do e çojmë në Kushtetuese

Shkruar nga: B Shehu | Publikuar më: 06.03.2025, 16:32

Asociacioni i gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar sot njoftimin e qeverisë për mbylljen e rrjetit TikTok, duke e quajtur vendim ekstrem e i pajustifikuar për censurimin e informacionit të lirë, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të majit.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon vendimin e qeverisë shqiptare për të mbyllur rrjetin social TikTok, një hap ekstrem dhe i pajustifikuar që cënon lirinë e shprehjes dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar”, shkruhet në deklaratë.

AGSH thotë se zgjidhja e pretenduar për “përmbajtjet e dëmshme ndaj fëmijëve” nuk mund të jetë mbyllja arbitrare e një platforme të tërë, por përmirësimi i politikave rregullatore dhe edukimi mbi përdorimin e sigurt të mediave sociale.

“Ky vendim krijon një precedent të rrezikshëm dhe e afron Shqipërinë me regjime autoritare që kufizojnë lirinë e fjalës përmes censurës digjitale. Mbyllja e një rrjeti social të përdorur gjerësisht nga qytetarët, bizneset dhe gazetarët dëmton rëndë pluralizmin mediatik dhe të drejtën për të komunikuar lirshëm”, vijon më tej AGSH, duke shtuar se do të ndërmarrë hapa ligjorë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për ta sfiduar këtë akt, fillimisht në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë.

Duke pretenduar se ka bërë “konsultime me prindërit”, ministrja e arsimit Ogerta Manastirliu tha sot se ka nisur komunikimet me platformën për mbylljen për një periudhë 12 mujore.

Por kritikët e vendimit dhe grupe opozitare thanë se në të vërtetë mbyllja e rrjetit të përdorur nga mbi 1 milionë shqiptarë, bëhet për të censuruar informacionin dhe denoncimet qytetare ndaj korrupsionit që vijnë prej tij.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit