Ditën e djeshme, JOQ ALBANIA publikoi denoncimin e një qytetari lidhur me Prokurorin e Tiranës, Valentin Preçi, i cili ka kaluar me sukses një tjetër betejë ligjore, pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) e ka lënë në detyrë.
Në denoncimin e tij, qytetari duke iu referuar një 'rasti' të tij u shpreh se prokurori kërkon deri në 20,000 euro për të pushuar çështjen, ose në të kundërt bën çmos për të të lënë në burg.
Por ky 'rast' i denoncuar prej qytetarit duket se është një mashtrim dhe këtë na e vërteton pala viktimë e kësaj çështje.
Ata kanë treguar për JOQ ALBANIA se personi që ka bërë denoncimin e rremë quhet Ardian Boletini, dikur drejtor i Inspektoriatit Ndërtimor-Urbanistik Kombëtar për rrethin e Tiranës. Sipas tyre, ky individ i ka mashtruar duke iu premtuar legalizimin e shtëpive dhe pasi u ka marrë nga 40 mijë euro nuk ka kryer punën e premtuar.
Ata thonë se kjo çështje është denoncuar në Polici dhe Boletini është dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë. Për t'u hakmarrë ndaj prokurorit të çështjes, ata thonë se Boletini ka shpikur një lajm të rremë, edhe pse ka mashtruar e dëmtuar njerëzit e ndershëm dhe që punojnë me mund e djersë.
Mesazhi i tyre:
Përshëndetje JOQ, Pas leximit të një postimi tuajin nga një person i paidentifikuar lidhur me Prokurorin Valentin Preqi, ne, viktimat e çështjes që lidhet me personin anonim, dëshirojmë të sqarojmë situatën. Personi në fjalë është Ardian Boletini, i cili na ka mashtruar duke na premtuar legalizimin e shtëpive tona. Ai na ka marrë nga 40 mijë euro dhe nuk ka kryer asnjëherë legalizimin e shtëpive, as nuk na ka kthyer paratë.
Kjo çështje është denoncuar në polici dhe Boletini është dënuar në shkallën e parë për këtë veprim. Tani ai po përpiqet të hakmerret ndaj prokurorit të çështjes, duke dërguar lajmin e djeshëm tek ju. Ne jemi shumë mirënjohës për punën e Prokurorit dhe shpresojmë që të ketë më shumë prokurorë si ai, të cilët nuk tolerojnë mashtrues të tillë që i sjellin dëm njerëzve të ndershëm që punojnë me mund dhe janë të sinqertë. Ju falenderojmë për mundësinë që na jepni të shprehim të vërtetën për këtë ngjarje dhe ju vlerësojmë për mbështetje. Më poshtë do të gjeni edhe vendimin e gjykatës për këtë person, Ardian Boletini.
Faleminderit!