Prindërit në zi të 4-vjeçarit Daniel Klosi kanë marrë dëmshpërblim dhe një kërkesë ndjese nga një spital në Angli, i cili e ktheu disa herë në shtëpi fëmijën e sëmurë, duke i sugjeruar vetëm të marrë qetësues.
Prindërit e Danielit i ishin lutur mjekëve t’i bënin analizat e gjakut pasi fëmija ishte sëmurë, po ata nuk pranuan ta shtrojnë.
Nëna Lindita Alushi, ish-infermiere 44 vjeçe, dhe babai Kastriot Klosi, 51, dërguan katër herë Danielin në spitalin e Camden, në javën para vdekjes së tij tragjike.
Dy herë atyre iu tha ta merrnin në shtëpi e t’i jepnin qetësues, ndërsa doktorët pranuan ta shtronin më 1 prill vetëm pasi prindërit pritën për katër orë në repartin e emergjencës.
Hetuesit zbuluan se gjatë vizitës së tretë në spital të Danielit, doktorët nuk kishin lexuar të dhënat e tij mjekësore dhe as nuk bënë analizat e gjakut, ose t’i jepnin serum antibiotik që mund t’i kishin shpëtuar jetën fëmijës.
Danieli, i cili ishte me autizëm, erdhi në spital me infeksionin e rëndë të gjakut ‘sepsis’, por nuk tregonte shenja të dukshme dobësie, siç ndodh në këto raste.
Spitali shtetëror ka lëshuar tashmë një kërkesë ndjese dhe ka pranuar t’i paguajë prindërve një shumë të papublikuar dëmshpërblimi.
Duke i bërë homazh të birit të humbur, Lindita tha: “Danieli ishte një djalë i dashur e i adhurueshëm. Ndjehem e bekuar që ai ka qenë biri ynë, ai na solli aq shumë dritë e lumturi.
“Jeta e tij mund të ishte shpëtuar dhe stafi mjekësor nuk duhet të bëjë supozime për gjendjen e një fëmije, siç ndodhi në rastin e Danielit, ata nuk na dëgjuan ne, prindërit e tij dhe shqetësimet që kishim”.
“Na vjen mirë për pranimin e spitalit të fajit por jemi të lumtur për kohën e gjatë që kjo kërkoi. Ndoshta duke folur për neglizhencën vdekja e Danielit do të vlejë për diçka”, tha nëna e të ndjerit për vdekjen e vitit të shkuar.