Solidariteti i shqiptarëve i ndryshoi jetën, Mirjani mëson të përdorë protezën bionike pas 13 vitesh sakrifica

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.12.2024, 21:53

Solidariteti i shqiptarëve bëri të mundur një mrekulli për Mirjan Grudën, 48-vjeçarin nga Shkodra, i cili për më shumë se 13 vite jetoi mes dhimbjes dhe vështirësive ekstreme pasi humbi të dy krahët në një aksident të rëndë në punë.

Vetëm pak javë më parë, Mirjani apeloi për ndihmë në JOQ Albania, duke rrëfyer jetën e tij të vështirë, ku çdo nevojë minimale i plotësohej me mundim nga babai i tij 83-vjeçar.

Në moshën 35-vjeçare, një aksident në punë e la Mirjanin pa të dy krahët, të cilët iu prenë deri mbi bërryl. Kjo gjendje e bëri të pamundur që ai të kujdesej për veten, dhe roli i kujdestarit u mor nga babai i tij i moshuar.

Në vend që ai të ndihmonte të atin në moshën e pleqërisë, ishin duart e dobësuara të 83-vjeçarit që e ushqenin, e lanin dhe e vishnin Mirjanin, duke përballuar një sprovë të jashtëzakonshme për vite me rradhë. Pensioni i ulët prej vetëm 14 mijë lekësh ishte i pamjaftueshëm për çdo nevojë të tij, ndërsa dyert e institucioneve ku kërkoi ndihmë mbetën të mbyllura.

Me shpresën e tij të fundit, Mirjani iu drejtua shqiptarëve përmes një apeli për ndihmë. Brenda pak ditësh, solidariteti i jashtëzakonshëm i shqiptarëve bëri të mundur mbledhjen e 75 mijë eurove për ndërhyrjen dhe vendosjen e protezave bionike në Turqi.

Së fundmi, një i afërm ka dërguar një video në redaksinë e JOQ Albania që tregon Mirjanin teksa mëson të përdorë protezën e re bionike. Nën udhëzimet e mjekut turk, Mirjani arrin të kontrollojë protezën, duke bërë që gishtat e saj të lëvizin sipas komandave.

Pas më shumë se një dekade sakrificash dhe izolimi, Mirjani tashmë sheh një dritë të re në fund të tunelit. Shqiptarët treguan edhe një herë se kur bashkohen, mund të ndryshojnë jetën e një njeriu në nevojë, duke bërë atë që institucionet nuk arritën kurrë ta bënin.

Historia e Mirjan Grudës është një kujtesë për fuqinë e solidaritetit dhe për faktin se bashkimi i njerëzve mund të sjellë mrekulli edhe në situatat më të dëshpëruara.

Le të mbetet ky shembull një inspirim për të ndihmuar më shumë ata që janë në nevojë dhe për të mos u bërë indiferentë ndaj fatkeqësive të të tjerëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit