“Më ndihmon babai 83-vjeçar”, Mirjani ka nevojë për ndihmë pasi humbi dy krahët në punë

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.11.2024, 22:41

Një apel për ndihmë ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga Mirjan Gruda, një 35-vjeçar nga Shkodra, i cili jeton në kushte të vështira për shkak të një aksidenti të rëndë në punë që i kushtoi humbjen e të dy krahëve deri mbi bërryl.

Mirjani tregon me dhimbje jetën e tij, duke theksuar se për kryerjen e nevojave më minimale e ndihmon me kujdes të jashtëzakonshëm babai i tij 83-vjeçar. Por gjendja e rënduar e të atit dhe pamundësia e Mirjanit për të qenë i pavarur e kanë bërë situatën akoma më të dhimbshme.

Mirjani kërkon ndihmën e të gjithë atyre që mund të kontribuojnë për t’i ndryshuar jetën. Ai ka nevojë për fonde për një ndërhyrje dhe për protezat, që do të realizohen në Turqi. Pensioni prej 14 mijë lekësh që përfiton nuk mund të përballojë as nevojat minimale të tij dhe të të atit.

Kushdo që ka mundësi dhe dëshirë ta ndihmojë Mirjanin, është i lutur të kontribuojë përmes platformës GoFundMe, për të bërë të mundur një ndërhyrje që do t'i ndryshonte jetën atij.

Apeli i plotë i Mirjanit:

Përshëndetje JOQ! Quhem Mirjan Gruda, lindur dhe banues në Shkodër. Jetoj vetëm me tim atë. Në moshën 35 vjeçare, nga një aksident në punë humba të dy krahët deri përmbi bërryl. Ato çfarë kanë mbetur prej krahëve të mi janë dy cungje njëri 12cm dhe tjetri 13cm. Kuptohet një gjendje e tillë e bën të pamundur për mua kryerjen e nevojave më minimale. Pranë meje ka qenë babai im i cili më ka veshur, më ka larë e më ka ushqyer siç veprohet me një fëmijë të vogël. Sot ai është 83 vjeç dhe është tepër e rëndë për mua tek shikoj përditë se si rolet tona janë këmbyer, në vend që t'i shërben unë atij, më shërben ai mua. Në fillim shpresoja se mund të gjendej një zgjidhje për mua duke vendosur proteza. Ato do të më ndihmonin të kryeja nevojat bazike, por vlera monetare e tyre ishte përtej mundësive tona, pasi pensioni prej 14 mije lekësh që përfitoj, mezi realizon nevojat minimale. Përgjatë rreth 12-13 viteve kam trokitur në shumë dyer, por pa sukses. Ju shkrova me shpresën se diçka mund të ndryshojë, se dikush mund të më ndihmojë. Kerkoj ndihmen e te gjithe njerzve qe mund te me ndihmojne duke kontribuar ne GoFound. Operacioni per mua do zhvillohet ne Turqi. Ju faleminderit! Me respekt Mirjan Gruda.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit