Një tjetër denoncim alarmant ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga konviktet e "Qytetit Studenti".
Një studente ka dërguar pamje që tregojnë kushtet skandaloze në godinat 9 dhe 10, si mungesa e ujit të ngrohtë, dushe që nuk funksionojnë, dritare të prishura, tavane me karton që rrezikojnë shembjen dhe rafte që bien mbi studentët në gjumë.
Sikur të mos mjaftonin këto, studentja e vitit të parë ngre alarmin teksa shprehet se automati bie vazhdimisht, duke i detyruar studentët ta ngrenë vetë dhe të rrezikojnë jetën.
Studentja thotë se janë të detyruar të qëndrojnë aty sepse nuk përballojnë dot banesat me qira, për shkak të çmimeve të larta.
Jo më larg se dje një tjetër studente denoncoi në JOQ Albania mungesën e ngrohjes dhe ujit të ngrohtë në konviktet e "Qytetit Studenti".
Denoncimi i plotë i studentes:
Përshëndetje JOQ!
Jam një studente e vitit të parë që studioj në Tiranë dhe jetoj në konviktet e Qytetit Studenti. Doja të bëja një ankesë në lidhje me godinën 9-10, por si kjo janë edhe shumë godina të tjera, ku thjesht studentët zgjedhin të heshtin. Ndërkohë që paguajmë një shumë që familjet tona e kanë të vështirë ta përballojnë, kushtet me të cilat përballemi janë për të ardhur keq.
Gjendja është alarmante duke filluar nga uji: dushet nuk hapen në oraret e caktuara dhe na detyrojnë të qëndrojmë me minuta në pritje, ndërkohë që uji shumicën e rasteve vjen i ftohtë. Tavanet janë të rregulluara me karton në disa vende, gjë që mund të rrezikojë këdo. Kaldajat janë thjesht për pamje, të prishura dhe nuk ndizen fare.
Gjendja e dhomave është skandaloze: dritaret janë të prishura dhe nuk mbyllen plotësisht, gjatë dimrit është akoma më keq. Gozhda nëpër mure dhe raftet sipër krevateve përbëjnë rrezik për jetën; mua personalisht më ka ndodhur që të më bjerë rafti sipër gjatë kohës që isha në gjumë.
Ku është shteti që thotë se po i shërben studentëve me kushte të mira jetese? Nga ana tjetër, pastrueset sillen sikur paratë për drita dhe ujë i paguajnë nga xhepi i tyre. Dritat fiken çdo 2-3 minuta dhe po të ankohesh, përgjigjja është: “Ik nga konvikti”. Është kulmi, por jemi të detyruar të qëndrojmë këtu sepse nuk përballojmë dot shtëpitë me qira.
Na bie automati orë e çast, kemi mbetur duke e ndezur vetë, derisa të na zërë korenti ndonjë ditë. Skandal, s’ke çfarë të thuash!
Ju faleminderit!