JOQ Albania raportoi disa ditë më parë një incident shqetësues në fushën sportive të shkollës “Vasil Shanto”, ku fëmijëve të një ekipi futbolli iu ndalua stërvitja. Ngjarja u përshkallëzua edhe më tej, pasi profesori i fëmijëve u shoqërua në Komisariatin Nr. 2.
Por sipas një mesazhi të ri të mbërritur sot në redaksinë e JOQ Albania, situata në fushë vazhdon të jetë e njëjtë, duke lënë fëmijët të stërviten në kushte të papranueshme. Në denoncim thuhet:
"Përshëndetje JOQ. Donim t’ju falënderonim, por situata vazhdon të jetë e njëjtë te shkolla ‘Vasil Shanto’. Fëmijët po vazhdojnë stërvitjen në errësirë të plotë. Nga pamjet duket se si fëmijët luajnë në errësirë dhe se kutisë së automatit që ndez dritat i kanë vënë drynin."
Pamjet e siguruara tregojnë një skenë të trishtë, ku fëmijët stërviten në terr, duke rrezikuar sigurinë e tyre.
Bashkia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi këtë situatë të rënduar, ndërsa komuniteti i prindërve dhe trajneri i ekipit presin përgjigje dhe zgjidhje të menjëhershme.
JOQ Albania vijon të ndjekë situatën dhe bën thirrje për ndërhyrje nga autoritetet për të zgjidhur këtë problem që po cenon të ardhmen sportive të fëmijëve.