JOQ Albania raportoi dy ditë më parë një incident shqetësues të ndodhur në fushën sportive të shkollës "Vasil Shanto", ku fëmijët e një ekipi futbolli nuk u lejuan të stërviten. Sipas një denoncimi të bërë nga qytetarët në redaksinë e JOQ Albania, inspektori i bashkisë ka ndaluar përdorimin e fushës për fëmijët, të cilët janë pjesë e një skuadre të federuar që vepron brenda rregullave.
Gjendja u përkeqësua pasi administratori i fushës u ndërpreu energjinë elektrike, duke pamundësuar vazhdimin e stërvitjes.
Por sipas një mesazhi të ri të mbërritur sot në JOQ Albania, tensionet janë rritur më tej pasi profesori i fëmijëve, i cili ka drejtuar ekipin për katër vite, është shoqëruar nga policia në Komisariatin Nr. 2. Prindërit dhe fëmijët po mblidhen përpara komisariatit, në zonën e 21 Dhjetorit, për të kërkuar një zgjidhje për këtë situatë.
Bashkia ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe prindërit janë të vendosur të mbrojnë të drejtat e fëmijëve të tyre.