Të lënë në harresë nga Bashkia Këlcyrë, banorët marrin borxh për të shtruar rrugën e fshatit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 13.11.2024, 15:37

Banorët e fshatrave Katundisht dhe Kodrisht në Këlcyrë po përballen me një problem të rëndë infrastrukturor. Bashkia e Këlcyrës, e drejtuar nga kryebashkiaku Klement Ndoni, duket se ka lënë banorët e saj në harresë, duke mos përmbushur detyrimet për mirëmbajtjen e rrugëve.

Një banor i irrituar ka denoncuar situatën përmes një mesazhi të dërguar në redaksinë e JOQ Albania.

Ai thekson se banorët janë të detyruar të përdorin fondet e tyre për të shtruar rrugët e bëra të pakalueshme. Qytetari tregon se bashkia nuk ka investuar asnjë fond për mirëmbajtjen e infrastrukturës, ndërsa sipas tij të gjitha fondet për mirëmbajtje janë përdorur në mënyrë abuzive.

Ai gjithashtu thekson se banorët kanë marrë situatën në dorë dhe po shtrojnë rrugët me fondet e tyre. Sipas tij, një kompani që merret me shtrimin e rrugëve ka kërkuar rreth 12 milionë lekë për të realizuar punimet, duke i vendosur banorët përballë një kostoje të madhe financiare.

“Dua të denoncoj kryebashkiakun Klement Ndoni, që na piu gjakun! Nuk hedhin asnjë lek për rrugët. Duhet të mblidhet gjithë fshati, të gjithë pensionistët, të venë lek për mirëmbajtje, sepse rruga është bërë e pakalueshme. Rreth 12 milionë lekë kërkon firma që ta shtrojë rrugën. Kemi marrë lekë borxh për të shtruar rrugën” shkruan banori.

Kujtojmë këtu që vetëm dy ditë më parë JOQ Albania raportoi se banorët e fshatit Tudan në Elbasan, të braktisur nga pushteti lokal, vendosën të shtronin rrugën e varrezave me fondet e tyre.

Këto dy raste tregojnë qartë dështimin e pushtetit lokal për të përmbushur detyrimet bazë ndaj qytetarëve, duke i lënë komunitetet të përballen vetë me nevojat infrastrukturore.

Indiferenca dhe mungesa e veprimeve konkrete nga autoritetet lokale pasqyrojnë një shpërfillje të thellë ndaj mirëqenies dhe nevojave të banorëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit