Këshilli i Ministrave ka emëruar Enkelejd Musabelliun në postin e zëvendësministrit të ri të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe ligjit për organizimin e Këshillit të Ministrave, duke hyrë në fuqi menjëherë pas propozimit nga Kryeministri.
Por kush është Enkelejd Musabelliu? I njohur si pronar apo bashkëpronar i dy kompanive, Adriatica RC dhe TOK DIGITAL AGENCY, Musabelliu ka përfituar rreth 1 milion euro nga tendera të fituar nga buxheti i shtetit në vitet e fundit. Këto tendera, të cilët kanë ngjallur dyshime për mënyrën e dhënies, janë kryesisht dhënë nga Bashkia Tiranë dhe institucione të tjera shtetërore, siç është pasqyruar edhe nga raportimet e mëparshme të JOQ.
Emërimi i tij si zëvendësministër ngre pikëpyetje rreth integritetit të procesit, duke parë historinë e përfitimeve të mëdha financiare nga tenderat shtetërorë.