Erion Veliaj vazhdon i qetë me tenderat e dyshimtë që organizon çdo ditë. I mbajtur me hatër për kushedi se çfarë arsye nga SPAK, Veliaj vazhdon pa asnjë ndalim serinë e tenderave të çuditshëm. Në rastin që do t’ju paraqesim ditën e sotme, tregohet se si ai ka shpërblyer me një tufë milionash ish-vartësin e tij në Bashkinë Tiranë.

Bëhet fjalë për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë e Tiranës, Enkelejd Musabelliu. Përveçse përfituesi i fondeve shtetërore është një ish-vartës direkt i Veliajt, vetë tenderi ka tipare të dyshimta.
Më konkretisht bëhet fjalë për procedurën e prokurimit që mban numrin e referencës REF-71725-06-06-2023. Objekti është ”Shërbim Konsulence për hartimin e Strategjisë së re të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Bashkisë Tiranë 2023-2027” dhe ka si fond limit shifrën 2,066,667 lekë të reja pa TVSH ose rreth 25 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Duke hulumtuar dokumentacionin përkatës të këtij tenderi shikohet se është kualifikuar vetëm fituesi dhe praktikisht i bie që ka garuar me veten e tij. Pra fituese është shpallur kompania Adriatica RC në pronësi të Enkelejd Musabelliu.
Vlera e ofruar prej tij është 2,000,000 të reja pa TVSH ose rreth 24 milionë lekë të vjetra me TVSH. Përveçse kemi të bëjmë me një mungesë totale konkurence në mënyrë që ish-vartësi i Veliajt ta kishte sa më të lehtë fitoren, vihet re edhe diçka tjetër.

Nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit të tenderit, del se ajo është sa 97% e tij. Kjo “i vë kapakun” përfundimisht faktit se kemi të bëjmë me një tender të dyshimtë dhe me një fitues të paracaktuar. Shpresojmë ndërkohë që edhe SPAK të fillojë të hedhë ndonjë sy nga tenderat e shumtë abuziv të organizuara nga Bashkia Tiranë.