Një denoncim alarmant ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një punëtor i minierës së Munellës në Pukë, i cili ka ndarë detaje shqetësuese që kanë të bëjnë me kushtet skandaloze të punës.
Sipas denoncuesit, punëtorët po përballen çdo ditë me rreziqe serioze për shëndetin dhe jetën e tyre për shkak të nivelit të lartë të gazit të emetuar nga makineritë dhe shpërthimet e dinamitit brenda minierës.
Denoncuesi tregon se ndërkohë që inspektorët e sigurisë teknike i gjobisin për mungesën e kapelave dhe syzeve mbrojtëse, kur vjen puna për respektimin e rregullave të sigurisë themelore, firma dhe autoritetet janë inekzistente.
Punëtorët shpesh janë të ekspozuar ndaj aksidenteve, të cilat sipas tij nuk publikohen, por mbulohen duke u ofruar para në dorë të lënduarve.
“Çdo ditë ka aksidente dhe të lënduar, por firma i jep para në dorë dhe nuk i bën publike. Jemi pa kontrata, pa asgjë, dhe presionet vazhdojnë nga kompania që nëse hyjmë në protesta do të na largojnë nga puna”, shprehet ndër të tjera denoncuesi.
Punëtorët kanë krijuar edhe një sindikatë për mbrojtjen e të drejtave të tyre, me në krye presidentin e sindikatave, Gëzim Kalaja. Por sipas denoncuesit, edhe ky përfaqësues i sindikatës ka treguar indiferencë duke shtyrë protestat në këmbim të përfitimeve personale, ndërkohë që presionet nga kompania vazhdojnë.
Denoncimi i plotë i punëtorit të minierës:
Situata përshkruhet tejet alarmante, ndërsa punëtorët mbeten pa kontrata dhe pa asnjë rrugëzgjidhje për të përmirësuar kushtet e tyre. Në vend që të sigurohet mbrojtja e tyre, ata përballen me rreziqe të përditshme dhe mungesë totale të transparencës.
JOQ Albania apelon për ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse për të hetuar dhe për të marrë masa mbi situatën në këtë minierë, si dhe për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë e punëtorëve.
JOQ Albania ka denoncuar më parë ndotjen e rëndë të lumit Fan dhe zonës përreth nga kjo minierë, për shkak të aktiviteteve të saj të pakontrolluara. Ndotja e shkaktuar nga miniera vazhdon të dëmtojë mjedisin dhe komunitetin lokal, ndërsa autoritetet duket se nuk e kanë vënë aspak 'ujin në zjarr'.

