Denoncimi: Fabrika e Bakrit në Fushë-Arrëz ndot lumin

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 30.08.2024, 21:34

Një qytetar ka ngritur alarmin për një ndotje të rëndë që po prek lumin Fani i Madh në Fushë-Arrëz. Në një mesazh të dërguar në redaksinë e JOQ Albania, ai akuzon fabrikën e pasurimit të bakrit, Beralb sha, për lëshimin e vazhdueshëm të ujërave të ndotura me acid në lumë, që prej dy muajsh.

Sipas denoncuesit, kjo ndotje ka shkaktuar dëme të mëdha në mjedis, duke përkeqësuar cilësinë e ujit në lumin Fani i Madh. Pamjet nga terreni dhe verifikimet në hartat satelitore të Google tregojnë qartë gjendjen alarmante të lumit, i cili është ndotur rëndë në segmentin ku kalon afër fabrikës.

Banori që preferon të mbetet anonim shprehet i shqetësuar se pavarësisht situatës së rëndë, autoritetet lokale, përfshirë bashkinë, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për të ndaluar këtë ndotje. Ai thekson se për dy muaj rresht, ndotja ka vazhduar pa ndërprerje, duke kërcënuar seriozisht ekosistemin lokal dhe shëndetin e banorëve të zonës.

Apeli i qytetarit për ndërhyrje urgjente vjen si një thirrje për të gjitha autoritetet përgjegjëse që të veprojnë për të ndaluar ndotjen dhe për të mbrojtur mjedisin nga dëme të mëtejshme. Ai kërkon që çështja të trajtohet me seriozitet dhe transparencë, për të shmangur pasoja të mëdha për komunitetin dhe natyrën.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit