Qeveria shqiptare i ka dhënë me koncesion fabrikën e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz një kompanie turke dhe kineze deri në vitin 2043.
Ky koncesion, që nisi në vitin 2001, u jep të drejtën kompanive të shfrytëzojnë burimet e bakrit të Shqipërisë për katër dekadat e ardhshme.
Në vitin 2001, shteti shqiptar nënshkroi një marrëveshje për t’i dhënë me koncesion fabrikën e përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz një kompanie turke për 30 vite. Në këtë marrëveshje u përfshinë edhe partnerët kinezë.
Përmes një transaksioni financiar të zhvilluar në Turqi, pjesa më e madhe e rezervave shqiptare të bakrit kaloi në duart e gjigantit kinez të minierave, kompanisë "Jiangxi Copper". Ata blenë 48% të aksioneve të kompanisë “BerAlb”, e cila zotëronte për 30 vite koncesionin e bakrit në Shqipëri. Kjo u dha mundësinë për të administruar dhe shfrytëzuar minierat e bakrit Munellë, Lak-Rosh, Karmë, si dhe fabrikat e pasurimit të bakrit në Fushë Arrëz dhe Mjedë, përfshirë impiantin e fraksionimit të skorieve të bakrit në Shëngjin.
Me një kapital fillestar prej vetëm 47 milionë lekësh, kompania ka arritur ta rrisë kapitalin e saj çdo vit, duke deklaruar aktualisht një vlerë prej 7.7 miliardë lekësh. Megjithëse kompania ka deklaruar humbje prej vitesh, shteti shqiptar vendosi të zgjasë koncesionin deri në vitin 2043.
Në vitin 2017, pavarësisht performancës së dobët financiare, kompania arriti të nënshkruajë një tjetër marrëveshje me shtetin shqiptar, duke zgjatur koncesionin edhe për 10 vite të tjera. Si rezultat, koncesioni i bakrit, i dhënë Turqisë dhe Kinës, do të jetë në fuqi deri në vitin 2043.
Një tjetër shqetësim i madh është fakti se në vitet para 1990, industria e bakrit në Shqipëri funksiononte me cikël të plotë dhe punësonte rreth 12 mijë persona. Aktualisht, niveli i pagave të punonjësve është i ulët, duke ndikuar negativisht në mirëqenien e zonës dhe në zhvillimin e saj ekonomik.
Po ashtu, një nga pasojat më të rënda të këtij koncesioni është ndotja e mjedisit, e cila u denoncua disa javë më parë në redaksinë e JOQ Albania nga banorët e zonës.
Kompania BerAlb është fajësuar për ndotjen e vazhdueshme të lumit Fan i Madh, ku derdhen mbetje të bakrit, duke përkeqësuar cilësinë e jetës së banorëve të zonës. Ndotja ka bërë të papërdorshme rreth 1800 hektarë tokë bujqësore në 10 fshatra përreth Fushë Arrëzit. Lumi shpesh merr një ngjyrë të kuqe nga sasia e lartë e sterileve të bakrit që derdhen aty.
Banorët kanë protestuar disa herë për ndotjen e ujit, që është një burim jetik për vaditjen e tokave dhe jetën e bagëtive të tyre. Institucionet përkatëse, ndonëse kanë gjobitur kompaninë, nuk kanë arritur të ndalojnë këtë ndotje, që vazhdon të prekë jetesën e mijëra banorëve.