Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” reklamon Tiranën për turistët, por pa kullat shumëkatëshe

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 26.03.2024, 14:23

Kryeministri Edi Rama dhe të gjitha mediat pro qeveritare, e nisën sot ditën duke reklamuar një artikull të prestigjiozes italiane “Vanity Fair” kushtuar Tiranës.

Në këtë artikull, revista ka renditur 10 arsyet pse duhet të kaloni pushimet në kryeqytetin shqiptar, Tiranën.

Por pavarësisht atraksioneve që revista ka listuar, ajo që bie më tepër në sy është fotoja e kopertinës, që nuk i ngjan aspak realitetit.

Për të ftuar lexuesit që të vizitojnë Tiranën, "Vanity Fair" ka zgjedhur një foto nga blloku i ministrive dhe godina e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Por fotoja nuk është reale pasi nuk ka asnjë prej kullave shumëkatëshe që po ndërtohen në mes të Tiranës.

Në foton e përzgjedhur nga "Vanity Fair" duket vetëm godina në fjalë, Kulla e Sahatit dhe Bibloteka Kombëtare. Të gjitha kullat që janë në ndërtim prej kohësh, janë zhdukur si me magji.

Mesa duket, që Tirana të jetë tërheqëse dhe e vizitueshme nga turistët duhet të jetë pa kulla pasi të njëjtën praktikë ka përdorur më parë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj. Në fotot dhe videot që ai poston në rrjetet sociale, ai përpiqet ta reklamojë Tiranën vetëm me monumente e ndërtesa historike, si për të treguar se ka turp nga kullat shumëkatëshe që ndërtohen çdo ditë dhe ai vetë i jep lejet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit