Një skandal i vërtetë u vërtetua në momentin kur u publikuan pamjet se policia shkatërroi kamerat në Kurbin para se të ndodhte atentati ndaj Ardian Gjeloshit. Policia dhe krimi bashkëpunojnë në mënyrë të pandashme e duhej të merrej tragjikisht një jetë e pafajshme, në këtë rast ekonomisti 70-vjeçar Selman Mihana, që këtij shteti t’i çirrej maska e ndershmërisë.
Rreth 8 persona të veshur me veshje policie u paraqitën në orët e para të mëngjesit të 10 shkurtit në kompaninë e inerteve në Gurëz të Kurbinit dhe duke qëlluar me breshëri plumbash vranë 70-vjeçarin dhe plagosën pronarin Gjeloshi.
Por pak netë para se të ndodhte ky atentat, policia e Kurbinit me në krye Shkëlzen Metushin, ishte paraqitur në biznesin e 51-vjeçarit për një 'kontroll' të befasishëm. Gjatë këtij 'kontrolli', efektivët e policisë kanë hequr kamerat e sigurisë në biznesin e Gjeloshit duke ua bërë edhe më të lehtë punën autorëve. Këta të fundit duke përfituar nga mungesa e kamerave, kanë kryer atentatin dhe janë larguar në drejtim të paditur. E gjithë skena e shkatërrimit të kamerave u faktua nga një video e cila u bë publike në media.
Makinat e djegura që dyshohet se u përkasin autorëve janë gjetur mëngjesin e së hënës në Milot. Në këtë ngjarje ka dyshime të forta se shefi i policisë Kurbin, Shkëlzen Metushi ka patur kohë të mjaftueshme për të ndihmuar autorët të zhduken, pasi ngjarja nuk është raportuar në momentin që ka ndodhur.
Pyetje për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullakun!
-Kush është iniciatori i heqjes së kamerave në këtë zonë pikërisht para atentatit?!
Heqja e kamerave ka çuar në humbjen e një jete të pafajshme. Florian Sulejmani i AMP duhet të nisë një hetim të thelluar policor për veprimet e Metushit që kushtuan një jetë njeriu.
Një shef komisariati ka për detyrë të garantojë rendin dhe qetësinë publike! Me veprimet e tij ai e ka cënuar rëndë atë dhe këtu qëndrojnë dy arsye: Ose Metushi është i paaftë, ose është i korruptuar e palë me krimin.
Përgjigja e pyetjes më lart është fare e thjeshtë… nëse pas këtij skandali të bërë publik nga mediat, ku kamerat u zhdukën nga vetë drejtori i komisariatit nuk nis asnjë hetim nga AMP e nuk ndërmerret asnjë masë nga Rrumbullaku do të thotë se titullarët e këtyre institucioneve bashkë triblojnë topa me krimin si në videot e trajnerit të madh Taulant Balla.
Por Metushi, i cili vendosur në krye të Komisariatit të Kurbinit, në tetor 2023, është emër famëkeq për publikun.
Në gusht të vitit 2023, një biznesmen ka denoncuar në redaksinë tonë dhunën dhe terrorin e ushtruar nga Shkëlzen Metushi, asokohe shef i Shqiponjave në Tiranë dhe Dashnor Muhaj, shef i seksionit 'Shigjetat', gjatë një postoblloku pranë biznesit të tij.
Biznesmeni tregoi për JOQ ALBANIA se efektivët e policisë u irrituan kur ai po filmonte me celularin e tij dhe bënë kontroll të pautorizuar në biznesin e tij dhe e shoqëruan në Komisariat. Gjatë rrugës, ai tha se efektivët e policisë me urdhër të Shkëlzen Metushit i fshinë videot nga celulari i tij.
Pasi rasti u bë publik dhe biznesmeni bëri denoncim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për sjelljen e policëve dhe shefit Shkëlzen Metushi, efektivët deklaruan se biznesmeni ishte shoqëruar për shkak të mungesës së mjetit të identifikimit.
Në dokumentet që JOQ ALBANIA disponon për këtë rast, biznesmeni denoncoi efektivët për sjelljen e tyre kafshërore. Prokurorët e kësaj çështjeje duke marrë në konsideratë kallëzimet e bëra, vendosën mosfillimin e çështjes penale, duke lënë gjithçka në harresë.
Por kjo Polici e Shtetit është e njëjza e cila e njëjta u bë shkak për humbjen e një jete të pafajshme, madje në krye të detyrës.