Më herët gjatë ditës, JOQ ALBANIA denoncoi me pamje keqtrajtimin e një qeni nga një qytetar në Lushnje.
Pas denoncimit në redaksinë tonë, ky shtetas, Tan Gjyla, i njohur për keqtrajtimin dhe torturat ndaj kafshëve është shoqëruar në Komisariat nga Policia.
Ai është proceduar në gjendje të lirë pasi torturoi qenin e tij dhe e hodhi në shatërvanin me ujë.
Ndërkohë rikujtojmë se edhe më parë ky qytetar është denoncuar nga JOQ ALBANIA pasi godiste me çekan një kalë deri sa ai ngordhte.
Njoftimi i plotë:
Lushnjë
Në lidhje me një video të postuar në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një shtetas, duke keqtrajtuar një kafshë shtëpiake (qenin e tij), ju sqarojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën dhe shoqërun në Komisariat shtetasin që shfaqet në video.
Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. Gj., 53 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”, pasi në lagjen “Kongresi”, Lushnjë, ky shtetas ka hedhur qenin e tij duke e keqtrajtuar, në shatervanin me ujë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.