Pak vite më parë, kryeministri Edi Rama iu bënte thirrje të huajve që të investonin në Shqipëri pasi i konsideronte shqiptarët “dele” që nuk organizohen në sindikata dhe nuk kërkojnë të drejtat e tyre.
Dikur Rama i cilësoi shqiptarët popull dembel që rrinë vetëm në kafene dhe nuk duan të punojnë. Asokohe ai iu kërkoi sipërmarrësve shqiptarë që të punësonin bangladeshas, afrikanë e indianë në bizneset e tyre me shpresën se bizneset do ringrihen e bashkë me to edhe ekonomia.
Por tani që jemi në vitin 2023 shumë gjëra kanë ndryshuar. Fuqia punëtore po e braktis çdo ditë e më shumë Shqipërinë. Nëse dikur largoheshin nga vendi vetëm shtresat e ulëta të shoqërisë, tani po largohen edhe të rinjtë, studentët, shtresa e mesme, punëtorët, zanatçinjtë dhe jo vetëm.
Një shembulli konkret i largimit të fuqisë punëtore profesioniste janë farmacistët të cilët duke ndjekur rrugën e infermierëve dhe mjekëve po largohen çdo ditë e më shumë në drejtim të Gjermanisë, Italisë dhe Anglisë.
E duke u ndalur te Anglia përmendim me qindra-mijëra të rinj që janë larguar dhe po largohen pasi në Shqipëri nuk shohin asnjë të ardhme. Për ta rrogat minimale nuk mund të quhen të tilla pasi çmimet janë stratosferike dhe niveli i jetesës po rritet vazhdimisht.
Ndërkohë që nëse dikur Rama i mbante shpresat te të huajt nga Bangladeshi, Sri Lanka dhe India, tani këto shpresa janë shuar plotësisht. E themi këtë pasi me qindra punëtorë të ardhur nga këto vende po e shfrytëzojnë Shqipërinë si një trampolinë për të ikur drejt vendeve të Evropës. Sapo nisin punë në Shqipëri, këta shtetas largohen fshehurazi duke lënë punëdhënësit e tyre në udhëkryq dhe punën në gjysmë.
I gjendur përballë një situate të tillë ku shqiptarët kanë braktisur vendin e tyre dhe të huajt po e shfrytëzojnë për qëllimet personale, Rama po kërkon të marrë masa.
Tani që jemi në prag zgjedhjesh dhe shumë biznese kanë mbetur pa punëtorë, Rama iu kërkon sipërmarrësve që të rrisin rrogat minimale pasi në të kundërt nuk do pajisen me leje ndërtimi e investimi.
Një metodë të tillë Rama e ka provuar edhe në zgjedhjet e mëparshme, por koha e ka treguar se nuk ka qenë aspak efektive. Mbetet për t’u parë nëse këtë vit rritja e pagës minimale do i mbajë shqiptarët në vendin e tyre, ku çmimet e ushqimeve, karburanteve dhe qirave janë më të larta se në shumë vende të Rajonit dhe më gjerë.