Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me skemën e mashtrimit që noterja e njohur Rezarta Koçi përdorte për të mashtruar qytetarët që kërkonin shërbimet e saj. Mësohet se kjo notere ka mashtruar duke shfrytëzuar punën e saj shumë qytetarë të cilët kanë bërë edhe kallëzime në polici. Nga hetimet disa mujore të policisë Tiranë është zbuluar se kjo notere gjatë ushtrimit të detyrës e ka shpërdoruar atë dhe ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shuma të konsiderueshme parash nga qytetarë të ndryshëm. Noterja u merrte shuma të ndryshme parash qytetarëve duke u premtuar shërbime të cilat nuk ua jepte.
Mësohet se pasi palët binin dakord për shitjen apo blerjen e një prone apo biznesi paratë i kalonin noteres që ajo t'ia jepte shitësit por kjo nuk ndodhte. Noterja duke përdorur llogarinë e saj personale dhe jo një të ngrirë ashtu siç e kërkonte ligji, i merrte paratë dhe blerësi dhe nuk ia jepte shitësit me pretekste të ndryshme. Kjo ka qenë edhe arsyeja se përse në maj të vitit 2021, noteres i është hequr licenca e ushtrimit të profesionit të noterit. Mësohet se vetëm gjatë vitit 2021 janë 15 qytetarë që mashtruar nga noteria Rezarta Koçi, duke përvetësuar një shumë që kap vlerën e rreth 2 milionë eurove.
Ka dyshime se konfliktet e shumta që kishte me klientët e saj për shkak të mashtrimit që iu bënte fshihen pas shpërthimit me tritol ndaj makinës së saj tip "Range Rover" në nëntor të vitit të kaluar. Policia dhe prokuroria po vijon hetimet pasi ka dyshime se noterja bashkëpunonte dhe me persona të tjerë mes tyre edhe biznesmenë për të përvetësuar para nga qytetarët dhe për të kryer falsifikime.