Buka, uji, drita janë nevojat kryesore të çdo njeriu. E ndonëse si të tilla, rritja e çmimit të bukës dhe energjisë dhe mungesa e ujit në shumë qytete të vendit tonë, përbën një problem madhor. Dhe e gjithë kjo rritje tek baziket që janë të nevojshme në jetë, sjell shtrenjtim të jetesës në një Shqipëri ku mbizotëron shtresa e varfër dhe e mesme.
Nga viti i kaluar e deri tani është vënë re ngushtimi i lakut për shqiptarët dhe shtrenjtimi i produkteve dhe shërbimeve bazike. Nuk lihet pa përmendur as çmimi i karburantit i cili kapi shifrën e frikshme dhe u rrit sërish me 8 lekë për litër, duke arritur nivele rekord, teksa po i afrohen 200 lekëve për litër. Mësohet se çmimet e produkteve që konsumon një familje në një muaj janë mesatarisht 3.7% më shtrenjtë.
Në grafikun e ndryshimeve vjetore të Indeksit të Çmimeve të Konsumit, sipas grupeve e nëngrupeve kryesore në tabelën më poshtë, tregon se shtrenjtimi i çmimeve për pjesën më të madhe të produkteve në dhjetor 2021 ishte shumë më i lartë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Aty vihet re buka dhe drithërat kushtojnë 6.3% më shtrenjtë, pasi çmimi i një buke nga 80 lekë u bë 90 lekë.
Po ashtu mishi kushton 3.3% më shtrenjtim pasi një kg mish kushton 900 lekë, nga 800-850 lekë që shitej më parë. Frutat i blejmë 11.3% më shumë, zarzavatet dhe patatet janë 11.7% më të shtrenjta. 3.8% më të shtrenjta ishin dhe Qumështi, djathi dhe veza. Madje dhe në kafe e restorante paguajmë 3.5% më shumë.
Ato që janë më lirë se një vit më parë, sipas INSTAT, janë vetëm “Këpucët për burra” (-0.9%), “Pajisje gatimi” (-1.9%), “Blerje mjetesh transporti” (-2.3%), “Ngrohës dhe kondicionerë” (-1.8%).