Një rast me të vërtetë skandaloz raportohet të ketë ndodhur në ekranet shqiptare këtë të diel që lamë pas. Shumë shqiptarë ndjekës të emisionit të transmetuar në Tv Klan, E Diela Shqiptare, kanë raportuar një rast shkeljeje flagrante të fiksuar në kamera ku protagonistë janë balerina e këtij emisioni Rexhina Sinani dhe drejtuesi Ardit Gjebrea.
Në shorteun e supermarketeve SPAR ku do shpalleshin tre fitues apartamentesh përkatësisht në Tiranë, Shkodër e Korçë, ka ndodhur një episod i dyshimtë që nuk ka kaluar pa u vënë re.
Në momentin kur do të shpallet fituesi i apartamentit të Tiranës, balerina Rexhina Sinani e cila është caktuar të zgjedhë biletën fituese shihet se gjatë gjithë kohës mban në dorë një biletë të gjatë të cilën e tërheq midis të tjerave deri në fund derisa e dorëzon tek drejtuesi Gjebrea.
Rezulton se bileta fituese mban emrin e babait të saj Shpëtim Sinani. Në faturën e treguar nga Gjebrea shihet edhe emri i balerinës Rexhina Sinani tek Karta Happy e këtij supermarketi.
Në momentin që fituesi përgjigjet në telefon, nuk reagon mbi faktin që vajza e tij punon aty e as për faktin që ajo ka emrin mbi kartën e blerjes së supermarketit, por të gjitha palët vazhdojnë në qetësi me procesin, ndërkohë që gjithçka është filmuar nga kamerat.
Në lidhje me rastin, disa qytetarë që kanë ndjekur skenën e të tjerë që njihnin personalisht personat e përmendur në video, të shqetësuar nga zhvillimi i këtyre shorteve dhe metodat që përdorin për të nxitur qytetarët të blejnë, shorte që supozohet të jenë transparente për klientët e tyre e publikun kanë denoncuar rastin dhe organizatorët e tyre.
Me synim raportimin e pasqyrimin publikisht të fjalës së të dy palëve, si të akuzuarve dhe denoncuesve në një rast të tillë, JOQ ALBANIA kërkoi një reagim zyrtar nga të gjitha palët e përfshira në këtë proces para se të vijonte me publikimin e informacionit të disponuar prej disa ditësh tashmë, por nga ana e palës së akuzuar balerinës Rexhina Sinani si dhe drejtuesit të emisionit Ardit Gjebrea, nuk pati asnjë reagim.