Hë mo, meme e gatshme ë? Në fakt jemi ende duke fshirë lotët nga e qeshura, pasi ky rast tenderi është aq i paparë sa për të vënë duart në kokë e për të vrapuar si i goditur nëpër Tiranë. Dritan Agolli, drejtori ekzekutiv i Fondit Shqiptar të Zhvillimit ka gjetur një mënyrë ekzemplare për të rrjepur paratë e shqiptarëve. Dhe nuk bëhet fjalë për pak por për plot 500 milionë lekë të vjetra.
Me këto para Tan Agolli do të “qërasë” kuzhinierin Alfio Rrotani. Të gjithë do të pyesnim veten se përse një kuzhinier duhet të marrë 500 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve, apo jo? Ja pra, mësojeni nga ne. Këto 500 milionë lekë do të përdoren që kuzhinier Alfio t’i tregojë Tan Agollit se çfarë hanë shqiptarët.
Por le të flasim konkretisht. Rezulton se Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka organizuar një tender me numër reference REF-08938-10-20-2021. Objekti i tij është “Ndërhyrje për krijimin e produktit autentik ushqimor lokal duke krijuar Menunë e 100 Fshatrave” dhe ka si fond limit shifrën prej 41,666,667 lekësh të reja pa TVSH ose rreth 500 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH.
Rezulton se këto para do të shërbejnë për të krijuar menunë e 100 fshatrave, për çdo sezon, për çdo vakt, për produkte ushqimore, pije e ëmbëlsira; historikun e mënuve dhe të produkteve të tyre; ingredientët; recetat; mënyrën e përgatitjes etj. E thënë shqip, kuzhinier Alfio do t’i tregojë Tan Agollit se çfarë hanë shqiptarët në varësi të vendndodhjes. Dhe për të gjetur këtë si duket nevojiten plot 500 milionë lekë.
Por përtej kësaj tenderi ka mjaft elementë të dyshimtë. Kështu operatorët ekonomikë të kualifikuar në përfundim të fazës së parë të procedurës së tenderit janë përkatësisht dy. 1) BOE Kube Studios Shpk NUIS K81406077G & Albanian Gastronomy Academy AGA NUIS L51628025A & CBS Creative Business Solutions NUIS L61312066R me ofertë 39,458,333 lekë të reja pa TVSH dhe 2) BOE Mascarpone sh.p.k NUIS L82427016S & Endrit Maci PF., NUIS L41709024O me ofertë 41,020,500 lekë të reja pa TVSH.
Fitues është shpallur për habi bashkimi i operatorëve Mascarpone sh.p.k në pronësi të kuzhinier Alfios & Endrit Maci Person Fizik. Themi për habi pasi oferta e tyre ka qenë më e lartë se konkurrentët e tjerë, e megjithatë janë shpallur fitues, ndonëse kanë ofruar gati 19 milionë lekë të vjetra më tepër se të tjerët.
Një tjetër fakt interesant ka të bëjë me kriteret të cilat duhet të përmbushin konkurrentët. Shikohet me habi se që të plotësohen kriteret për kualifikimi, duhet që kompania të ketë në personelin e saj një “Web developer”. E thënë shqip, një tip që merret me faqet e internetit. Që firmat pjesëmarrëse të plotësojnë kriteret duhet që “Web developer” të ketë eksperiencë prej të paktën 10 vjet. Pra nëse ky person ka 9 vite eksperiencë, i humbet kompanisë të drejtën për të garuar. Ndërkaq dihet se nëse një person i tillë është i aftë dhe ka eksperiencë qoftë edhe 5 vjet, mund të bënte çdo punë të atij profesioni. Interesant është fakti që nëse ‘Web developer” duhet të ketë patjetër të paktën 10 vite eksperiencë, dietologu apo nutricionisti që janë vërtetë ndër personat kryesorë në këtë objekt tenderi, mjafton të kenë vetëm 5 vite eksperiencë...
Ndërkaq nëse i hedhim një sy nivelit të pagave që kompania fituese deklaron pranë organeve tatimore, rezulton se i paguan punonjësit e saj në shifra qesharake ku paga më e ulët është 160 mijë lekë të vjetra ndërsa më e larta 500 mijë lekë të vjetra. Pyetja që shtrohet në këtë rast është se si ka mundësi që një kompani e tillë me këtë nivel pagash të mjerueshme mund të fitojë një tender me vlerë 500 milionë lekë?
Dhe ëmbëlsira për në fund, vlera e ofruar nga fituesit në fjalë, është thuajse identike me vlerën e fondit limit të tenderit, përkatësisht sa 98.45% e tij. Gjetjet e mësipërme sinjalizojnë për dyshime të forta në lidhje me rregullsinë e tenderit dhe ka shumë mundësi që fituesi të ketë qenë i paracaktuar.